G7-ta kërkon zgjatjen e armëpushimit Izrael-Hamas në Gaza!

vovalbania November 29, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
G7-ta kërkon zgjatjen e armëpushimit Izrael-Hamas në Gaza!

Ministrat e Jashtëm të Grupit të Shtatë Shteteve më të Industrializuara (G7) mbështetën zgjatjen e mëtejshme të ndalimit aktual të luftimeve në Gaza. Përmes një deklarate për shtyp, G7 tha se “pauzat e reja të armëpushimit do të duhej të përfshinin edhe rritjen e ndihmës e lehtësimin për lirimin e të gjithë pengjeve të rrëmbyer nga Hamasi”, grupi militant palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Bashkimi Europian.

Çdo përpjekje duhet të bëhet, duke u siguruar mbështetja humanitare për civilët. Ne mbështesim zgjatjen e mëtejshme të kësaj pauze dhe pauzat e ardhshme duhet të lejojnë që ndihma të rritet e të lehtësohet lirimi i të gjithë pengjeve.

Armëpushimi aktual mes Izraelit e Hamasit, grupit radikal që udhëheq Gazën është i pari pas shtatë javësh luftimesh që kanë rrafshuar Rripin e Gazës duke lënë të vrarë mbi 15 mijë persona, sipas zyrtarëve shëndetësorë në këtë territor.

Lufta Izrael-Hamas u nxit pasi grupi radikal palestinez sulmoi jugun e Izraelit më 7 tetor, duke vrarë 1 mijë e 200 persona dhe mori peng 240 të tjerë. Armëpushimi aktual përfshin lirimin e pengjeve nga Hamasi, në këmbim të lirimit të të burgosurve palestinezë nga Izraeli.

Në deklaratën e G7-ës përshëndetet lirimi i pengjeve nga Hamasi, që dje liroi edhe 12 pengje, ndërsa Izraeli, 30 të burgosur palestinezë. Armëpushimi aktual pritet të përfundojë nesër.

Që nga e premtja e kaluar, kur nisi armëpushimi, numri i përgjithshëm i pengjeve të liruar ka shkuar në 81, ndërsa Izraeli la të lirë 180 të burgosur.

Si G7, ne bëjmë thirrje për lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të të gjithë pengjeve!

Po ashtu, në deklaratën e fundit u theksua “e drejta e Izraelit për të mbrojtur veten dhe popullin e tij”, por ndër të tjera u theksua se është e rëndësishme “që të mbrohen civilët e gjithashtu të respektohen ligjet ndërkombëtare”.

Ministrat e Jashtëm të vendeve të G7-ës theksuan se janë të përkushtuar për krijimin e një shteti palestinez përmes zgjidhjes me dy shtete. Ata kërkuan që të mos lejohet që konflikti të përshkallëzohet edhe më tej. Në G7 bëjnë pjesë: Shtetet e Bashkuara, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimi Europian.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 50778 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE