Hulumtimi, Rusët e lidhur me Kremlinin të punësuar në OSBE!

vovalbania November 29, 2023 0 koment 3 Mund të lexoni në minuta.
Hulumtimi, Rusët e lidhur me Kremlinin të punësuar në OSBE!

Dy ditë para se Rusia të niste pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurtin e vitit 2022, zëvendësministri i Jashtëm, Andrei Rudenko, iu adresua Dhomës së Ulët të Parlamentit në atë që do të shndërroheshin në hapat e parë të Kremlinit për të aneksuar territorin e rajoneve lindore ukrainase të Donjeckut dhe Luhanskut.

Në adresimin e tij u përfshinë akuzat se Ukraina po “sabotonte” negociatat e mbajtura nga Grupi Trepalësh i Kontaktit, i përbërë nga Rusia, Ukraina dhe Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), trup rajonal i sigurisë me 57 anëtarë që ka selinë në Vjenë dhe që aktualisht e gjen veten në krizë për shkak të vetove ruse para një takimi kyç të Këshillit Ministror më 30 nëntor.

Rudenko kishte njohuri të thella për OSBE-në, udhëheqja e së cilës menjëherë pas dy ditësh dënoi pushtimin rus, dhe jo vetëm sepse ai më herët kishte shërbyer si i dërguar i lartë rus në këtë organizatë. Në kohën e pushtimit rus dhe negociatave trepalëshe, gruaja e Rudenkos po shërbente si politikane e lartë dhe asistente administrative në zyrën e sekretarit të përgjithshëm të OSBE-së. Ky post i dha asaj qasje në takimet e nivelit të lartë të OSBE-së dhe në informacione, sipas një zyrtari të Bashkimit Evropian.

Bashkëshortja e Rudenkos, e lindur në Kirgizi dhe e quajtur Saltanat Sakembaeva, është një prej disa shtetasve rusë, punësimi i të cilëve në OSBE ka rritur shqetësimet lidhur me qasjen e Kremlinit brenda trupit ekzekutiv të organizatës që ka luajtur rol qendror në monitorimin e agresionit rus në Ukrainë dhe përpjekjeve për të ndërmjetësuar mes Moskës dhe Kievit, gjeti një hulumtim i Radios Evropa e Lirë. Në këta individë përfshihet edhe diplomati rus i karrierës, Anton Vushkarnik, që ka shërbyer për katër vjet në Ambasadën ruse në Uashington dhe ka raportuar në Kongres, ku i ka dhënë mbështetje përkrahjes së Moskës për diktatorin sirian, Bashar al-Assad.

Emailet që i ka siguruar REL-i tregojnë se Vushkarnik, që aktualisht shërben si këshilltar i lartë strategjik në Sekretariatin e OSBE-së, i dërgoi një punonjësi të Kongresit amerikan një video në YouTube, që i krahasonte politikanët ukrainas me nazistët, si dhe mesazhe që pretendonin se “autoritarizmi homoseksual” po “kërcënon Amerikën”, duke përdorur terme homofobe. Ndërkaq, një grua që ka shërbyer si përkthyese për presidentin rus, Vladimir Putin, gjatë bisedimeve me presidentin e atëhershëm amerikan, Donald Trump, aktualisht është e punësuar në Zyrën Ndërlidhëse të Vjenës të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së.

Ish-përkthyesja Daria Boyarskaya, e mori atë detyrë specifikisht nga Kremlini në mënyrë që të shpërqendronte liderin amerikan, sipas një ish-zyrtareje të Shtëpisë së Bardhë. Vendosja e figurave të afërta me Qeverinë e Putinit brenda niveleve më të larta të OSBE-së ka nxitur akuza publike dhe private për ndikimin dhe sabotimin e Kremlinit, në atë që supozohet të jetë një organ neutral ndërkombëtar.

Sakembaeva, që u kthye në Rusi pesë muaj pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, “kishte qasje në një sasi të konsiderueshme të materialeve sekrete, të cilat përmes marrëdhënies së saj martesore ajo mund t’i kalonte lehtësisht te burri i saj [Rudenko]”, tha për REL-in një ish-punonjës në Sekretariatin e OSBE-së. Për shkak të arsyeve të sigurisë personale, ish-kolegu i Sakembaevas, por edhe diplomatët dhe burimet e tjera që ende janë ose kanë qenë të punësuar në OSBE apo në misionet e përhershme të organizatës, u pajtuan që të flasin për REL-in në kushte anonimiteti.

Zyra e sekretarit të Përgjithshëm të OSBE-së, që udhëhiqet nga Helga Schmid nga Gjermania që nga viti 2020, i tha REL-it se të gjithë zyrtarëve të organizatës “pavarësisht kombësisë së tyre apo llojit të kontratës, u kërkohet të përfaqësojnë vetëm interesat e OSBE-së dhe janë subjekt i Kodit të Sjelljes, që është i qasshëm për publikun”.

“Edhe pse ne nuk mund të diskutojmë për raste individuale, ne u sigurojmë se OSBE-ja merr jashtëzakonisht seriozisht shkeljet e mundshme të Kodit të Sjelljes dhe vazhdimisht kryen procedurat e duhura të brendshme ku adresohen shkeljet e supozuara”, tha zëdhënësi i OSBE-së, David Dadge, përmes një përgjigjeje dërguar me email.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49594 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE