Ndryshim i ligjit për “Sinjalizuesit”/Edhe bizneset me 50 të punësuar do të kenë “spiunë”!

vovalbania December 01, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Ndryshim i ligjit për “Sinjalizuesit”/Edhe bizneset me 50 të punësuar do të kenë “spiunë”!

Të gjithë institucionet e administratës me mbi 80 të punësuar, si dhe bizneset me më shumë se 100 të punësuar kanë detyrimin që në strukturën e tyre të kenë një Njësi Sinjalizuese. Ndryshimet që priten në ligjin “Për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve” parashikojnë që ky detyrim të vihet për bizneset me deri 50 të punësuar.

Në një dokument, qeveria pranon se ky detyrim do të jetë edhe për bashkitë me ose më shumë se 10 mijë banorë. Rrjedhimisht, kjo parashikohet të rrisë numrin e njësive raportuese të njohura si sinjalizuese e që sipas ligjit kanë detyrimin e denoncimit të praktikave apo veprimeve të dyshuara të korrupsionit, të kryera në vendin e tij të punës në autoritetin publik ose subjektin privat.

Ndër të tjera, ndryshimet ligjore parashikojnë të ofrojnë mbrojtjen e sinjalizuesve nga hakmarrja në momentet kur për shkak të kësaj detyre, ata kanë pasoja. Madje, përveç ndihmës shtetërore gjatë fazës së procesit, kuadri ligjor do të parashikojë edhe dëmshpërblim. Në dokumentin e qeverisë thuhet:

Fusha e zbatimit (fushëveprimit) të ligjit dhe qasja sektoriale kundrejt asaj horizontale, masa konkrete mbështetjeje që në fazat e hershme të hakmarrjes, në vijim të ndihmës shtetërore gjatë procesit gjyqësor dhe deri në dëmshpërblim të plotë për personin që i nënshtrohet hakmarrjes, rregulla për kanalet e brendshme të raportimit, sipas të cilave njësitë e sinjalizimit duhet të aplikohen për personat juridikë në sektorin privat me 50 ose më shumë punëtorë, bashkitë me ose më shumë se 10 000 banorë.

Sinjalizuesit

Prej vitit 2016, Shqipëria ka miratuar kuadrin ligjor për ngritjen e strukturave të sinjalizuesve pranë institucioneve me më shumë se 80 punonjës në strukturën e tyre, nëse janë sektor publik dhe 100 punonjës në privat.

Këto njësi kanë detyrimin e raportimit çdo vit pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë e Konfliktit të Interesave. Nga viti në vit, numri i njësive që raportojnë pranë këtij institucioni ndryshon. Në raportin e vitit 2022, Inspektorati nënvizonte se “në sektorin publik, funksiononin 199 njësi përgjegjëse të kësaj natyre kurse në privat, 565”.

Njësitë e sinjalizuesve mund të raportojnë pranë ILDKPKI-së rastet kur ka abuzime nga ana e drejtuesve apo punonjësve në institucione shtetërore e kompani private, si edhe kur vihen re raste korrupsioni, favorizim apo shkelje në prokurime dhe elementë të tjerë të kësaj natyre.

Sipas ligjit, “sinjalizim” është raportimi i informacionit nga ana e sinjalizuesit te njësia përgjegjëse ose ILDKPKI-ja për veprime apo praktika të dyshuara korrupsioni, të kryera në vendin e tij të punës në autoritetin publik apo subjektin privat.

“Njësia përgjegjëse” është organi i posaçëm, i caktuar brenda autoritetit publik ose subjektit privat, i përbërë nga një ose më shumë punonjës të organizatës dhe i ngarkuar me detyrën e shqyrtimit të hetimit administrativ të sinjalizimit e shqyrtimin e kërkesës për mbrojtjen e sinjalizuesit, sipas përcaktimeve të këtij ligji./Monitor

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 51684 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE