14 minuta seancë nga kaosi në Kuvend/Propozimi i PS-së për Komisionet Hetimore, Bardhi: Ligj i zi!

vovalbania December 04, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
14 minuta seancë nga kaosi në Kuvend/Propozimi i PS-së për Komisionet Hetimore, Bardhi: Ligj i zi!

Për shkak të kaosit, me flakadanë e zhurma, nuk zgjati më shumë se 14 minuta seanca e sotme në Kuvend. Në sallë, Flamur Nokës iu komunikua përjashtimi nga kryeparlamentarja Lindita Nikolla.

Ish-kryeministri Berisha deklaroi se “mosbindja civile ishte suksesi i radhës”. Ai paralajmëroi se aksioni do të vazhdojë derisa opozitës t’i plotësohen kërkesat për ngritjen e komisioneve hetimore. “Asgjë nuk e pengoi aksionin e opozitës!”, – tha Berisha ndërsa më herët pati përplasje mes disa deputetëve demokratë e gardistëve që tentuan t’i kontrollonin.

Pas mbylljes së seancës, Gazment Bardhi u pyet nga gazetarët për propozimin e maxhorancës që në Kuvend depozitoi draftin me ndryshimet në ligjin për komisionet hetimore në vend. Deputetja socialiste, Ermonela Felaj tha se ligji i ri qartëson balancën mes legjislativit e organeve të drejtësisë, ndërsa përcakton qartë se kur ngrihet një komision hetimor, por Bardhi tha se “ligji është i zi”. Bardhi deklaroi:

Shiko të zonjën që e ka propozuar dhe ligjin, e zezë është zonja, i zi është dhe ligji. Vetëm Ermonela Felaj mund ta propozonte një ligj të tillë, që në thelb nuk është ligji i Kushtetutës, por i urrejtjes. Përsa i përket të drejtës sonë për ngritjen e komisioneve hetimore është antikushtetues dhe anti-parimor.

Bardhi shtoi:

Opozitës po i mohohet e drejta për të pasur përfaqësues të saj në Komisionin e Reformës Zgjedhore dhe shqiptarëve s’do iu jepet mundësi që në votimet e ardhshme, të kenë zgjedhje të ndershme. Opozitës i mohohet e drejta për të kontrolluar qeverinë. Kjo e drejtë na mohohet prej dy muajsh.

Ajo që patë sot ishte vijim i aksionit tonë për të mos lejuar deputetët e PS-së që të punojnë në mënyrë normale. Sot në Kuvend jemi përballur me rrethimin nga forcat e sigurisë, u rrethuam me forca sigurie. Kjo godinë dhe kjo sallë ka humbur misionin e përfaqësimit të qytetarëve, por është pushtuar nga forcat e sigurisë. Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë në këtë aksion.

Nuk kemi ndërmend të tërhiqemi, pasi do të thotë që të pranojmë rënien e shtetit të shtetit të së drejtës. Apeli im për maxhorancën është që në vend të forcës, të fusë në punë arsyen dhe logjikën!

Para fillimit të seancës plenare, deputetë të opozitës u përplasën me Gardën, që tentoi t’i kontrollonte fizikisht, por ata refuzuan, duke theksuar se ky kontroll është në shkelje të Rregullores së Kuvendit. Në sallën e Parlamentit, demokratët sërish kanë grumbulluar karriget në pjesën e foltores. Në një dalje live në Facebook, ish-kryeministri Berisha akuzoi ministrin e Brendshëm, Taulant Balla, duke iu referuar si “i përzgjedhur për të organizuar puçin ndaj Kuvendit”.

Menjëherë pas përfundimit të seancës plenare, punonjësit e BKH-së (Byroja Kombëtare e Hetimit) këqyrën nga afër sallën e seancave plenare në Kuvend.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48702 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE