Vrasja tronditëse e Liridonës, sot rivarrimi në fshatin e origjinës!

vovalbania December 04, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Vrasja tronditëse e Liridonës, sot rivarrimi në fshatin e origjinës!

Liridona Murseli (Ademaj), sot rivarroset në varrezat e fshatit Rracaj në Gjakovë ku kishte origjinën. Familjes Ademaj iu miratua kërkesa për zhvarrimin. 30-vjeçarja u vra më 29 nëntor në fshatin Bërnicë të Prishtinës e fillimisht u dyshua për grabitje të armatosur me pasojë vdekjen.  Në çastin kur u qëllua, gjendej në makinë me dy fëmijët e mitur e bashkëshortin. Ky i fundit tha se “në panik arriti të largohej, bashkë me djemtë”, çka ngjalli dyshime. Ekspertët ngritën pikëpyetje.

Një ditë më parë, Gjykata Themelore në Prishtinë i caktoi masën e paraburgimit prej 1 muaji, tre të dyshuarve, mes tyre bashkëshorti i viktimës, Naim Murseli. Ai është i dyshuar për organizimin e vrasjes, G.P, si ekzekutor dhe K.K, pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës, dyshohet si bashkëpunëtor në krim.

Në afërsi të gjykatës u panë familjarë të Liridonës, por ata nuk u lejuan që të marrin pjesë në seancën e djeshme. Vëllai i viktimës, shtetasi Leonard Ademaj deklaroi se u njoftua që duhet të bëjë kërkesë për të marrë pjesë në seancat e radhës. Po ashtu, ai konfirmoi se i ka dorëzuar kërkesë Prokurorisë për zhvarrosjen e trupit të Liridonës, që të prehet pranë varrezave të shtëpisë së prindërve të saj, çka u pranua më vonë e rivarrimi bëhet sot.

Liridona është vrarë në mënyrën më mizore, në mënyrën më makabre që mund të jetë. Liridona ishte grua e fuqishme, motër e fuqishme dhe nënë e fuqishme. Doli të bëhet edhe heroinë për fëmijët e vet. Ne po e përmbajmë veten, sepse ajo nuk donte të na shihte neve kurrë kështu!

Ademaj shtoi se beson që autoritetet e Kosovës do të vendosin drejtësi në këtë rast. Ndërkaq, në hyrje të godinës së Gjykatës Themelore të Prishtinës u zhvillua një protestë ku katër aktiviste shpalosën një banderolë me mbishkrimin: “Nuk ka paqe pa sigurinë e grave”.

Siç u njoftua, një protestë u zhvillua dje në mesditë para ambasadës së Kosovës në Tiranë. Protestuesve që ngritën zërin për vrasjen e Liridonës, iu bashkua edhe ambasadori i Kosovës, Skënder Durmishi. Diplomati u shpreh:

Unë dola t’ju takoj para derës së ambasadës. Është një iniciativë njerëzore dhe ju falënderoj për ndjesinë që tregoni për një rast që ka tronditur Kosovën, që është e shtanguar dhe në shok të vërtetë. Protesta juaj është për t’u përkrahur dhe po kështu thirrjet tuaja për drejtësi për Liridonën e për çdo grua. Drejtësia të thotë fjalën e saj për një krim kaq monstruoz siç ndodhi me Liridonën.

Ndërsa nuk ka zyrtarisht një motiv, po nxiten spekulime se në rast vdekjeje të Liridonës, Naimi do të përfitonte miliona euro nga sigurimi i saj në Suedi. Por, këto janë vetëm dyshime. Familja e Naim Murselit ka emigruar që në vitin 1992 në shtetin suedez.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 50315 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE