Zbulohet baza e grupeve kriminale në Fushë Kuqe të Lezhës, në pranga një 40-vjeçar!

vovalbania December 05, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Zbulohet baza e grupeve kriminale në Fushë Kuqe të Lezhës, në pranga një 40-vjeçar!

Një shtëpi e vjetër në zonën e Fushë Kuqes në Lezhë ishte kthyer në një bazë që dyshohej se përdorej nga grupet kriminale për të pajisur me mjetet që përdorin në atentate. Uniformat blu kanë zbuluar bazën në të cilën janë sekuestruar një sërë mjetesh që dyshohet se përdoreshin për të furnizuar eksponentë të krimit.

Brenda bazës shihen motorë, një mjet, 5 motorë si edhe 4 targa të dyshuara të vjedhura në qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe në Kosovës. Automjeti tip “Mazda” rezulton me ndërhyrje dhe me dëmtime në strukturën e tij, për të pamundësuar përcaktimin e të dhënave të automjetit.

Po ashtu, Policia ka sekuestruar 400 gramë lëndë e dyshuar eksplozive, me fitil zjarrpërcjellës, e gatshme për shpërthim. Në bazë janë gjetur edhe kapuçë si maska, doreza dhe skafanda motomjetesh, veshje për kamuflazh, si dhe një sërë sendesh të tjera që do t’i shërbenin kryerjes së ngjarjeve të rënda kriminale.

Në kuadër të operacionit të koduar “Sundimi i ligjit” dhe si rezultat i hetimeve të thelluara që po kryhen intensivisht për të zbardhur ngjarjet e rënda kriminale të ndodhura së fundi, specialistët e seksioneve për Hetimin e Krimeve ndaj Jetës dhe Pronës, dhe për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, me mbështetjen dhe të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, kanë bërë të mundur parandalimin e ngjarjeve të tjera të rënda kriminale, pasi kanë zbuluar një ambient ku mbaheshin një sërë mjetesh dhe sendesh që do t’iu shërbenin grupeve kriminale, njofton policia.

Në pranga ka rënë pronari që kishte përshtatur banesën si bazë për grupet kriminale, Aleks Lulashi, 40 vjeç. Ndaj tij rëndojnë veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje”, “Trafikim i mjeteve motorike”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Vjedhja”. Po ashtu, blutë e Lezhës po vijojnë hetimet për të identifikuar persona të tjerë që janë përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Zbulimi i kësaj baze kriminale vjen pak ditë pas vrasjes së Entjan Nikulajt, i cili u ekzekutua mbrëmjen e 2 dhjetorit brenda në makinë teksa lëvizte në hyrje të qytetit të Lezhës. Autorët e vrasjes dyshohet se janë vrasës me pagesë, të cilët aktivitetin kriminal e kanë kryesisht në zonën e Fushë Krujës dhe Kurbinit, ku edhe është zbuluar baza e grupeve kriminale.

Viktima ishte i afërm i biznesmenit Ardian Nikulaj të vrarë me 19 prill të këtij viti në lokalin në pronësi të tij në Shëngjin. Pista kryesore e hetimeve është ajo e gjakmarrjes mes fiseve Nikulaj dhe Lekstakaj, ku 40-vjeçari Entjan Nikulaj është viktima e tretë në harkun kohor të pak muajve, pasi pas vrasjes së biznesmenit Ardian Nikulaj, në muajin korrik u ekzekutua me armë zjarri në Balldre Nikolin Lekstakaj.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48748 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE