Arrestohet në Turqi i dyshuari për vrasjen e 14-vjeçares Gjorçevska në Shkup!

vovalbania December 06, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Arrestohet në Turqi i dyshuari për vrasjen e 14-vjeçares Gjorçevska në Shkup!

Ministri i Brendshëm i Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski, njoftoi se u arrestua në Turqi i dyshuari kryesor për vrasjen e 14-vjeçares Vanja Gjorçevska, javën e kaluar në Shkup, i dyshuar dhe për përfshirje në ekzekutimin e 74-vjeçarit, Pançe Zhezhovski, në Veles. I dyshuari është identifikuar si Lupço Palevski, 59 vjeç, i angazhuar në politikë, sektorin e ndërtimit e në veprimtari pro-ruse. Kohët e fundit ka drejtuar lëvizjen “E treta”.

Jemi informuar nga kolegët nga Turqia se planifikuesi, koordinatori dhe autori i drejtpërdrejtë i këtyre veprave u kap në territorin turk. Ai ishte hallka e fundit e këtij akti të tmerrshëm që na mungonte, për të thënë se kemi përfunduar gjithçka që ka të bëjë me zbulimin dhe kapjen e autorëve të këtij krimi të rëndë.

Trupi i pajetë i 14-vjeçares u gjet më 3 dhjetor në Shkup, gjashtë ditë pasi ishte zhdukur ndërsa kishte dalë nga shtëpia. Edhe 74-vjeçari u gjet i vdekur në Veles, në të njëjtën ditë. Spasovski informoi se i arrestuari ndodhet në qendrën e ekstradimit në Turqi dhe shumë shpejt, pritet që institucionet maqedonase të paraqesin kërkesën për ekstradimin e tij në Shkup. Për rastin ka pesë të akuzuar.

Tashmë kemi përgatitur padinë penale prej më shumë se 100 faqesh, duke ia dërguar Prokurorisë Themelore Publike. Aty përfshihen të gjitha dëshmitë lidhur me autorët e dyshuar. Pra, kemi pesë persona, një për rrëmbim e vrasje, tre të tjerë për rrëmbim e bashkëpunim në vrasje dhe një për ndihmë gjatë rrëmbimit.

Ai njoftoi për arrestimin edhe të një personi tjetër, i dyshuar se kishte ndihmuar autorin e dyshuar për vrasje që të kalonte kufirin e Maqedonisë së Veriut. Të hënën, bëri të ditur se motivi i vrasjes ishte përfitimi material nga e nëna e vajzës së vrarë e se në këtë rast ishte përfshirë babai i saj, duke informuar anëtarët e tjerë për kohën kur vajza doli nga shtëpia e lëvizjen e saj drejt shkollës.

Babai i 14-vjeçares ndodhet në paraburgim, por gjatë marrjes në pyetje i ka mohuar akuzat e policisë.

Motivi për këtë rast është përfitimi. Në marrëveshje edhe me një anëtar të familjes, një person organizoi e kreu aktin, me qëllim që të marrin para’ nga nëna e vajzës së mitur.

Sipas policisë, viktima tjetër nuk kishte lidhje me vajzën, por ka patur hesape të hapura me një anëtar tjetër të grupit të dyshuar kriminal. Lidhur me vrasjen e 14-vjeçares, e cila u raportua e zhdukur më 27 nëntor, pati reagime të shumta në opinion, përfshirë ato që vrasjes i jepnin motive etnike, ndaj edhe pati nxitje të urrejtjes ndëretnike.

Për të shmangur tensionet e mundshme, autoritetet dolën me njoftimin se autorët e kësaj ngjarjeje të rëndë janë me përkatësi etnike maqedonase. Ministri i Punëve të Brendshme ka paralajmëruar masa edhe për personat që kanë nxitur urrejtje në rrjetet sociale apo në daljet publike.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49906 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE