G7, Biden dhe Sunak: Të përkushtuar për të mbështetur Ukrainën!

vovalbania December 07, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
G7, Biden dhe Sunak: Të përkushtuar për të mbështetur Ukrainën!

Me një video-lidhje, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, bisedoi me udhëheqësit e G7-ës. Ai tha se “Moska po shpreson për një krisje në unitetin e vendeve perëndimore vitin që vjen”. Të pranishmit, mes tyre aleatët kryesorë të Kievit, presidenti amerikan Joe Biden dhe kryeministri britanik Rishi Sunak, thanë se mbeten të përkushtuar për të mbështetur Ukrainën.

Komentet e tyre erdhën mes frikës se mbështetja perëndimore për Ukrainën mund të zbehet pasi Kievi po bën përparim të kufizuar në fushën e betejës. Në një deklaratë pas takimit, udhëheqësit e G7-ës thanë:

Ne jemi të përkushtuar që të mbështesim një Ukrainë të pavarur, demokratike, brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht.

Udhëheqësit njoftuan veprimet që do të ndërmerren kundër Rusisë, përfshirë ndalimin deri në janar të importit të diamanteve nga Rusia dhe diamanteve ruse të përpunuara nga vende të treta deri në mars. Kjo është një nga përpjekjet për të ulur fitimet e Rusisë.

Ndër masat e tjera është edhe forcimi i zbatimit rreptësisht i kufirit të çmimit të naftës ruse, ndërsa udhëheqësit e G7-ës u bënë thirrje palëve të treta që të mos i shesin Rusisë materiale ushtarake ose do të përballen me një “kosto të rëndë”.

Gjithashtu, ata premtuan shtimin e përpjekjeve humanitare për Ukrainën gjatë dimrit, duke i bërë thirrje Rusisë që t’i japë fund agresionit të saj e të paguajë për dëmet që ka bërë tashmë.

Ndërsa Zelenskyy u takua virtualisht me udhëheqësit e G7-ës, presidenti rus Vladimir Putin zhvilloi një udhëtim të rrallë jashtë vendit, një vizitë njëditore në Lindjen e Mesme me ndalesa në Emiratet e Bashkuara Arabe e në Arabinë Saudite, në përpjekje për të rritur pozitën e Rusisë në rajon.

Emiratet e Bashkuara Arabe, vendi organizator i takimit të Kombeve të Bashkuara për klimën, COP28, është një aleat i Shteteve të Bashkuara me lidhje të ngushta me Rusinë. Zyrtarët e Emirateve të Bashkuara Arabe e pritën ngrohtësisht presidentin Putin në Abu Dhabi.

Po ashtu, lideri rus u takua me presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohammed bin Zayed Al Nahyan, për diskutime të shumë çështjeve, përfshirë atë që Putin e quajti “kriza ukrainase”, përpara se të vazhdonte bisedimet me Princin e Kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman.

Ukrainasit që po marrin pjesë në takimin për klimën në Emiratet e Bashkuara e dënuan vizitën e Vladimir Putit në rajon, duke përmendur mes të tjerash edhe krimet mjedisore që ka kryer Rusia në Ukrainë.

Është për të ardhur keq kur sheh ssi bota i trajton kriminelët e luftës, sepse ai është i tillë, mendoj unë. Kur shikon pritjen e njerëzve si ai në ngjarje të mëdha, trajtimin si i ftuar të dashur, është hipokrizi.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 51739 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE