Hunter Biden, djali i presidentit Joe Biden akuzohet për shmangie nga tatimi!

vovalbania December 08, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Hunter Biden, djali i presidentit Joe Biden akuzohet për shmangie nga tatimi!

Prokurorët federalë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ngritur aktakuzë kundër Hunter Biden-it, djalit të presidentit amerikan Joe Biden, për shmangie të pagesës së tatimeve. Në një deklaratë, prokurori special, David Weiss u shpreh:

Hunter Biden shpenzoi miliona dollarë për një mënyrë jetese ekstravagante, në vend që të paguante tatimet.

Sipas aktakuzës, Biden planifikoi shmangien nga tatimi të një shume prej të paktën 1.4 milion dollarësh, gjatë viteve 2016-2019. Nëse shpallet fajtor, Hunter Biden, 53 vjeç, mund të dënohet me burg deri në 17 vjet heqje lirie.

Lidhur me këtë rast, avokati mbrojtës, Abbe Lowell, akuzoi prokurorin Weiss për atë që ai e quajti “përkulje ndaj presionit republikan”. Lowell dha një deklaratë për mediat, duke theksuar:

Bazuar në faktet dhe ligjin, nëse mbiemri i Hunter-it nuk do të ishte Biden, akuzat në Delaware dhe tani në Kaliforni, nuk do të ishin ngritur.

Shtëpia e Bardhë nuk pranoi të komentojë mbi këtë çështje. Telashet ligjore kanë nisur më herët për Hunter-in. Në muajin shtator, ndaj tij u ngrit një aktakuzë për armëmbajtje pa leje. Djali 53-vjeçar i presidentit amerikan u deklarua i pafajshëm lidhur me këtë rast.

Në dhjetor të vitit 2020, Hunter Biden, bëri të ditur se është duke u hetuar për një çështje të mos pagimit të tatimeve. Në atë kohë të tre viteve më parë, shprehej:

Unë e kam marr këtë çështje shumë seriozisht dhe jam i bindur se një rishikim objektiv do të tregojë se kam punuar duke respektuar ligjin e në mënyrë të rregullt.

Problemet e tij ligjore janë kthyer në temë tejet të debatuar në politikën e Shteteve të Bashkuara, në kohën kur babai i tij po kërkon të rizgjidhet president për një mandat të dytë presidencial në krye të Shtëpisë së Bardhë. Madje, Biden është shprehur se e ndjen si një detyrim të rikandidojë kur shanset janë të mëdha që nga republikanët të rivalizojë sërish me ish-presidentin Donald Trump.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49663 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE