Izraeli bombardon jugun e Gazës, pas kërcënimeve të Hamasit për pengjet!

vovalbania December 11, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Izraeli bombardon jugun e Gazës, pas kërcënimeve të Hamasit për pengjet!

Izraeli bombardoi qytetin kryesor në jug të Gazës, Han Junis, pasi Hamasi paralajmëroi se asnjë prej pengjeve izraelite nuk do të largohet gjallë prej territorit, derisa t’i përmbushen kërkesat për lirim të të burgosurve. Izraeli është përgjigjur me ofensivë ushtarake, që një pjesë të mirë të Gazës e ka shndërruar në gërmadhë, duke vrarë rreth 18 mijë njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë.

Hamasi paralajmëroi se nuk do t’i dorëzojë gjallë pengjet, pa një shkëmbim të të burgosurve palestinezë dhe “negociata për rezistencën”. Izraeli njoftoi se ende janë 137 pengje në Gaza, ndërsa aktivistët vlerësojnë se 7 mijë palestinezë mbahen në burgjet izraelite. Bombardimet e nisura më 7 tetor, si dhe ofensiva tokësore, e kanë shtyrë drejt kolapsit sistemin shëndetësor në Gaza.

Punëtorë, biznese dhe institucione janë duke marrë pjesë në një grevë të përgjithshme, në disa vende arabe, për të shprehur solidaritet me Gazën dhe duke bërë thirrje për armëpushim të menjëhershëm. Në Jordani, shumë rrugë janë parë bosh dhe dyqanet janë mbyllur në kryeqytet e në disa qytete.

Banorët janë vendosur në dyert e dyqaneve të mbyllura, duke treguar për pjesëmarrjen e tyre në grevë.

Në Liban janë mbyllur edhe shkollat e institucionet qeveritare.

Ministri i Edukimit në Mauritani i ka shtyrë të gjitha mësimet e caktuara për sot, “për t’i lejuar studentët që të marrin pjesë në aktivitetet në mbështetje të Gazës”.

Bizneset, shkollat dhe zyrat qeveritare janë mbyllur në disa pjesë të Bregut Perëndimor.

Punonjës të transportit publik, bankave dhe universiteteve i janë bashkuar grevës.

Shumë fraksione palestineze e grupe të aktivistëve kanë bërë thirrje për grevë globale sot, me kërkesën për armëpushim në Rripin e Gazës.

Hamasi, grupi radikal që udhëheq Gazën është shpallur grup terrorist prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian. Hamasi e ka nxitur këtë luftë, pasi më 7 tetor kreu sulmet më vdekjeprurëse në tokën izraelite, duke vrarë rreth 1.200 njerëz.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48769 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE