Prezantuesi i njohur largohet nga RTSH: “Jemi mësuar me tekat e drejtuesve”

vovalbania December 11, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Prezantuesi i njohur largohet nga RTSH: “Jemi mësuar me tekat e drejtuesve”

Bledi Strakosha, i cili prej 8 vitesh ishte pjesë e stafit të RTSH-së dhe drejtonte emisionin “Me Bledin” i ka dhënë fund këtij rrugëtimi.

Ai ka njoftuar ndjekësit në Instagram për largimin nga Radiotelevizioni Shqiptar dhe s’i ka kursyer ca opinione dhe kritika, të thëna me stil:

“Tetë vitet e fundit në RTSH për mua u mbyllën. Asgjë e re dhe asgjë tronditëse për dikë që prej 32 vitesh punon në media. Me lëvizjet e tregut, me ndryshimin e shijeve të audiencës e ndoshta edhe me tekat e drejtuesve a me të kujt u gjendet pranë në zyrë a gjetkë në çaste të caktuara të ditës e të natës, jemi mësuar dhe nuk kapemi të papërgatitur”, e nisi ai deklaratën.

Më tej, vijoi:

“I vetmi emocion (i kuptueshëm kësaj radhe) vjen nga lidhja dhe afërsia shpirtërore imja me këtë institucion ku kam hyrë që fëmijë, ku kam mësuar ABC-në e profesionit, ku jam formuar nga profesionistë të televizionit e të drejtimit të mediave”, pasi në RTSH ka nisur karrierën e tij në vitet ’90, për të prezantuar emisione të ndryshme.

Bledi bëri një pasqyrim të situatës brenda RTSH-së dhe u shpreh se televizioni është në një gjendje të tillë, ku profesionistët kanë bërë një pakt të heshtur për t’u trajtuar siç trajton qytetari një shtëpi me qera:

“Që nga fillimi i viteve ‘90-të kur nisa punën në RTSH, kam parë të kalojnë shumë emra të njohur të televizionit, siç kam parë të vijnë e të ikin drejtues dhe emërues drejtuesish: secili me shkallën e vet të përkushtimit, ndershmërisë, aftësisë, zgjuarsisë, qytetërimit. Për vullnete, të cilat nuk është ky rasti t’i analizoj, RTSH ka shumë vite që ndodhet në gjendjen që njihet, por ajo që mund të them është se në këtë institucion ka ekzistuar një lloj pakti i pashprehur ku profesionistët janë trajtuar të paktën si trajton qytetari shtëpinë me qira apo fshatari hurmën e fqinjit kur i bie në oborr”.

Ai vazhdoi postimin dhe tha se ëndërron që RTSH të ketë një fat mesatar:

“Për sa po ndodh aktualisht në RTSH nuk bëj asnjë koment. E vetmja frazë që mund të shpreh është se ëndërroj të vijë dita që RTSH të ketë një fat mesatar. Të paktën! Së fundmi, gjej rastin të falënderoj nga zemra të gjithë ju që në këto tetë vite keni zgjedhur të më ndiqni apo edhe ju që në ekranin e RTSH-së e që në programet e mia keni ndalur rastësisht”, duke shprehur edhe falenderimet e tij për personalitet që e kanë pranuar të jenë pjesë e emisionit të tij dhe shtoi se herët a vonë do të shihet me ndjekësit e tij diku.

“Shumë falënderime tërë atyre personaliteteve të jetës shqiptare, të cilët kanë pranuar të jenë të ftuar në emisionet e mia, qoftë edhe kur e kanë bërë për miqësi apo si “qokë” personale. Bashkë, herët a vonë do të shihemi diku. Me respekt e mirënjohje për të gjithë ju!”, përmbylli ai postimin.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 50384 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE