Finlanda do të rihapë dy pika kufitare me Rusinë!

vovalbania December 12, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Finlanda do të rihapë dy pika kufitare me Rusinë!

Finlanda do të rihapë dy vendkalime përgjatë kufirit të saj me Rusinë këtë javë, pasi i mbylli të gjitha muajin e kaluar.

Në nëntor, Finlanda mbylli të gjithë kufirin prej 1340 kilometrash me Rusinë, duke e akuzuar Moskën se i nxit azilkërkuesit të kalojnë kufirin. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell, Finlanda thotë se për shkak të anëtarësimit të saj në NATO, Rusia po i ndërmerr këto veprime në kuadrin e një sulmi hibrid. Rusia i mohon këto akuza.

Mbi nëntëqind azilkërkues nga vende si Kenia, Maroku, Pakistani, Somalia, Siria dhe Jemeni hynë në Finlandë nga territori i Rusisë në muajin nëntor, njoftoi roja kufitare finlandeze. Më përpara, mesatarja ishte më pak se një person në ditë.

Duke folur sot për hapjen e kalimit, kryeministri Petteri Orpo tha në një konferencë për shtyp se: “Pa heqjen e kufizimeve, ne nuk mund të verifikojmë nëse po bëhet një ndryshim për mirë. Nëse fenomeni vazhdon, ne do t’i mbyllim këto pika kufitare.”

Helsinki ka thënë se Rusia po i dërgonte njerëzit drejt kufirit në shenjë hakmarrjeje për vendimin e saj për të riafirmuar bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes me SHBA-në, si dhe vendimin e Finlandës për t’u bashkuar me NATO-n, një akuzë që Kremlini e mohon.

Rusia nuk i pranon akuzat se po mundëson fluksin e emigrantëve drejt kufirit finlandez.

“Nuk ka asnjë rrezik. Në realitet nuk ka ndonjë tension. Tensioni mund të rritet në fakt nga përqëndrimi i njësive të reja përgjatë kufirit tonë dhe finlandezët duhet të jenë të ndërgjegjshëm se kjo do të përbënte kërcënim për ne”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Kufiri Finlandë-Rusi është rreth 1340 kilometra i gjatë. Ekziston shqetësimi se emigrantët do të provojnë ta kalojnë kufirin ilegalisht, duke vënë në rrezik jetën.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49582 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE