Kërkoi masë arresti për Sali Berishën! Zbardhet kërkesa e SPAK drejtuar Kuvendit: Nuk ka zbatuar vendimin e Gjykatës!

vovalbania December 12, 2023 0 koment 4 Mund të lexoni në minuta.
Kërkoi masë arresti për Sali Berishën! Zbardhet kërkesa e SPAK drejtuar Kuvendit: Nuk ka zbatuar vendimin e Gjykatës!

Zbardhet kërkesa e Prokurorisë së Posaçme drejtuar Kuvendit për të lejuar ndryshimin e masës së sigurisë për Sali Berishën, nga ‘detyrim paraqitje’ në ‘arrest shtëpie’/ heqje të lirisë së deputetit.

Në shkresën drejtuar legjislativit, SPAK argumenton se ish-kryeministri nuk ka zbatuar vendimin e gjykatës duke mos u paraqitur asnjëherë para oficerit të policisë gjyqësore/hetuesit.

“Me vendimin nr. 117 datë 26.10.2023, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, ka vendosur ndër të tjera, vazhdimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, e parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale, caktuar me vendimin nr. 112 datë 20.10.2023 ndaj personit nën hetim Sali Berisha, duke u urdhëruar ky i fundit të paraqitet të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji, ora 10.00 para oficerit të policisë gjyqësore, pranë Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, si dhe urdhërimi i këtij shtetasi të mos largohet nga territori i Republikës së Shqipërisë, pa autorizimin e gjykatës, në referim të nenit 233 pika 1 të K.Pr.Penale dhe ndalimi i përdorimit të pasaportës dhe dokumentave të tjera idnetifikuese të vlefshme për daljen jashtë shtetit.

Duke mos qenë dakort me dy vendimet e mësipërme, nga ana e personit nën hetim dhe mbrojtësve të tij është ushtruar ankim. Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, me vendimin nr. 56 datë 21.11.2023, ka vendosur ndër të tjera miratimin e vendimit nr. 112 datë 20.10.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organziuar, të verifikuar me vendimin nr. 117 datë 26.10.2023 të së njëjtës gjykatë, ndaj ankuesit Sali Berisha.

Referuar proces verbaleve datë 06.11.2023, 20.11.2023 dhe 04.12.2023 të mbajtur nga oficeri i policisë gjyqësore/hetuesi, para të cilit duhet të paraqitej personi nën hetim Sali Berisha, rezulton se ky i fundit, nuk ka zbatuar vendimin e gjykatës, duke mos u paraqitur asnjëherë para policisë gjyqësore”– argumenton Prokuroria e Posaçme, duke theksuar se ligji thotë qartë që kur nevojat e sigurimit rëndohen, prokurori mund t’i kërkojë Kuvendit autorizim për zëvendësimin e masës së sigurisë me një masë tjetër më të rëndë.

Gjatë një konference për shtyp, i pyetur mbi kërkesën e SPAK për ndryshimin e masës së sigurimit, Berisha tha se respekton vendimin e Kuvendit. Ish-kryeministri theksoi se “me kundërshtimin e vendimit të gjykatës për moszbatimin e masës “detyrim paraqitje” kam mbrojtur parlamentin”.

“Unë e votoj që nesër. Nuk kam asnjë kundërshtim”- tha Berisha, megjithatë nuk dha ndonjë përgjigje nëse do të marr pjesë apo jo në Këshillin e Mandateve dhe Imuniteteve për të mbrojtur veten. Në përfundim të konferencës për shtyp, Berisha iu drejtua Kuvendit për informacion. Në një prononcim më vonë, ish-kryeministri e konsideroi sulmin politik duke theksuar se përjashtimi për dy muaj dhe defakto heqja e mandatit tregon qartë “fazën parapërfundimtare të Ramës për asgjësimin e opozitës në parlament”.

“Ndryshim sipas të cilit, një grup deputetësh i lejojnë vetes, ndërprerjen e përkohshme të mandatit të deputetëve. Përjashtimin për dy muaj dhe defakto heqjen e mandatit, dmth ndalimin e çdo lloj veprimtarie të deputetit. Kjo është faza parapërfundimtare drejt asgjësimit të opozitës në parlament dhe u garantoj se kjo do të shoqërohet me të gjithë përpjekjen e opozitës për rivendosjen e parlamentarizmit, pluralizmit politik në parlament. Vendosmëria është e plotë e palëkundur. Kjo është ajo që mund të ju them sot“- tha Berisha.

Një ditë më parë, gazetarja Anila Hoxha, raportoi se pretendimi i ish-kryeministrit Sali Berisha, se SPAK duhet të merrte autorizim nga Kuvendi, për masën e sigurisë ndaj tij, është çmuar i pabazuar në prova.

Në vendimin e zbardhur nga Gjykata e Apelit, që Top Channel e disponon ekskluzivisht, gjykata kujton ndryshimet kushtetuese të 2012-ës, për mburojën apo imunitetin e deputetëve dhe konceptin e paprekshmërisë, që në rastin e Berishës nuk është shkelur as nga SPAK dhe as nga shkalla e parë. Gjykata e Apelit shpjegon se masa e detyrimit me paraqitje, shpallur për Berishën, është një fuqi shtrënguese që nuk heq lirinë personale apo fizike të ankuesit Sali Berisha, por vetëm lirinë e lëvizjes së tij jashtë shtetit.

Kjo masë që e detyron deputetin të paraqitet para policisë gjyqësore në ditë dhe orë të caktuara, sipas apelit nuk kërkon autorizim të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, shprehet gjyqtarja Iliriana Olldashi. Por sot SPAK ka shkuar më tej në kërkesën për autorizim drejtuar Kuvendit, kërkon ndryshimin e masës së sigurisë për ish-Kryeministrit Sali Berisha në “arrest shtëpie”.

Gjykata shpjegon se imuniteti parlamentar nuk është një privilegj personal i deputetëve, por garanton që secili prej tyre të mund të ushtrojë lirisht mandatin e tij pa u ekspozuar ndaj persekutimit politik arbitrar, thuhet në vendimin e zbardhur, duke sqaruar se liria personale e deputetit Berisha do të ishte prekur në rast se do të zbatohej heqja e lirisë me vendim gjykate; urdhri i ndalimit të prokurorit, ndalimi me inisiativë nga policia gjyqësore, arrestimi në flagrancë”, diçka që nuk ka ndodhur.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49536 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE