Nis vetingu në polici! Nga nesër, procesi i vetëpastrimit kalon në sitë zyrtarët e lartë!

vovalbania December 17, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Nis vetingu në polici! Nga nesër, procesi i vetëpastrimit kalon në sitë zyrtarët e lartë!

Këtë të hënë, Agjencia e Mbikqyrjes Policore, do të rifillojë procesin e Vetingut në radhët e policisë.

Përpara trupës vlerësuese për t’u përballur me gjetjet do të dalin 3 drejtues të lartë të Policisë dhe AMP. Seancat do të jenë publike dhe të hapura për median.

Të hënën në seancë dëgjimore do të jetë drejtori i policisë Shkodër, Edmond Sulaj, ndërsa në trupë vlerësimi do të jetë Arben Sefaj-kryesues, Denisa Sina-relatore dhe Suela Bulku-anëtare.

Trupa vlerësuese do të verifikojë pasurinë, pastërtinë e figurës dhe aftësive profesionale të gjithsecilit prej tyre.

Pas ndryshimeve ligjore, vetingu në polici iu besua Agjencisë së Mbikqyrjes Policore, pas shkrirjes së komisionit të jashtëm të vlerësimit. Me ligjin e vjetër por edhe të ri, janë vetuar 37 drejtues të lartë të policisë, nga të cilët 35 u konfirmuan në detyrë dhe dy u përjashtuan.

Në prill të këtij viti u hodh shorti ku caktoi 34 drejtues të lartë të policisë të cilët do t’i nënshtroheshin procesit të vetingut dhe vendimet do të shpalleshin brenda muajit Tetor. Por vonesat në kthimin e përgjigjes nga institucionet si dhe lëvizjet në Agjencinë e Mbikqyrjes Policore e shtynë këtë proces për në dhjetor.

Ministri i Brendshëm Taulant Balla deklaroi procesi i vetëpastrimit të Policisë do të thellohet dhe kalojë në një fazë tjetër, për të mbajtur larg uniformës blu çdo punonjës të implikuar në veprimtari kriminale.

“Formulari është një mundësi që çdo punonjës policie të vetëdeklarojë nëse ka patur llogari në këto shërbime. Që të kishe akses në shërbime të tilla, ishte i kushtueshëm më shumë se paga e punonjësit të policisë. Do të bashkërendojmë me EUROPOL. Në ditët e javët në vijim, unë do të jem në një vizitë në janar në EUROPOL edhe për dy aplikacione të tjera, për të cilat EUROPOL është duke administruar informacionin e duhur. Formulari duhet ripërsëritur edhe për dy aplikacione të tjera. Procesi i vetëpastrimit në Polici ecën përpara dhe kush e ka ndarë mendjen të punojë me ndershmëri në shërbim të qytetarëve dhe ligjit do të vazhdojë të jetë pjesë e PSH, kush i ka shërbyer me gradat dhe uniformën e PSH interesave të krimit të organizuar duhet të largohet dhe përballet me drejtësinë”, nënvizoi ministri.

Duke iu përgjigjur interesit të medias, ministri tha gjithashtu se Policia e Shtetit është duke punuar intensivisht për të zbardhur ngjarjet e fundit, tentativën për grabitje në Prush të Tiranës dhe atë të ndodhur në Kamëz.

“Në rastin e Prushit Policia ka mbërritur në kohë rekord, duke e parandaluar. Në përgjithësi gjatë kohës së festave ka një rritje të veprimtarisë kriminale që lidhet me grabitjet apo me vjedhjet. Policia e Shtetit ka një rekord historik gjatë vitit 2023 sa i përket goditjes së personave me veprimtari kriminale në vjedhje. Në një rast tjetër para pak ditësh, autori u kap në një kohë rekord. I kam kërkuar Policisë së Shtetit që të rrisë shkallën e vigjilencës në këtë lloj qasje dhe po ashtu shpresoj shumë që personat e përfshirë në tentativën e grabitjes në Prush apo në Kamzë të vihen para drejtësisë. Besoj se jemi në rrugën e duhur”, tha Balla.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49280 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE