Koreja e Veriut tregon “muskujt”, teston një raketë balistike ndërkontinentale!

vovalbania December 18, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Koreja e Veriut tregon “muskujt”, teston një raketë balistike ndërkontinentale!

Koreja e Veriut sot kreu testimin e parë në pesë muaj të një rakete balistike ndërkontinentale me rreze të gjatë veprimi, ndërsa Pheniani është zotuar se do t’i përgjigjet fuqishëm Shteteve të Bashkuara. Ky testim vjen edhe në kohën kur Koreja e Jugut po forcon planet për mbrojtje bërthamore.

Raketën e testuar, qeveria koreano-jugore e përshkroi si “armë me lëndë djegëse të ngurta”, që me gjasa është referencë për raketën balistike ndërkontinentale, Hwasong-18. Kjo e bën më të vështirë  detektimin, krahasuar me raketa që funksionojnë me lëndë djegëse të lëngshme.

Më herët, lideri komunist Kim Jong Un e cilësoi raketën Hwasong-18 si armën më të fuqishme në forcat bërthamore.

Ushtria e Koresë së Jugut njoftoi se raketa fluturoi rreth 1.000 kilometra para se të binte në ujërat midis Gadishullit Korean e Japonisë. Ndërkaq, Ministria e Mbrojtjes së Japonisë tha se raketa u ngrit në një lartësi prej 6.000 kilometrash.

Detajet e fluturimit të kësaj rakete përkojnë me testimin e dytë të raketës Hwasong-18 të kryer nga Veriu në korrik. Testimi i parë ishte kryer në prill.

Që nga viti 2017, Koreja e Veriut ka kryer një sërë testesh të raketave balistike ndërkontinentale me rreze të gjatë veprimi, që të fitojë aftësinë të kryejë sulme bërthamore në tokën amerikane. Por, të gjitha testimet e kaluara të raketës Hwasong-18, para atij të prillit u kryen me lëndë djegëse të lëngshme, raketa të cilat nuk mund të udhëtojnë për periudha të gjata kohore.

Këshilltari amerikan për Sigurinë Kombëtare, Jake Sullivan dhe homologët e tij nga Koreja e Jugut e Japonia dënuan testimin e kryer nga Koreja e Veriut. Shtëpia e Bardhë njoftoi se testimi ishte shkelje “flagrante” e disa rezolutave të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që ndalojnë aktivitetet balistike të Koresë së Veriut.

Testimi është i dyti për dy ditë radhazi i kryer nga Koreja e Veriut. Dje, Pheniani testoi një raketë balistike me rreze të shkurtër veprimi, që ra në ujërat në lindje të brigjeve të Koresë së Veriut. Raketa fluturoi rreth 570 kilometra. Kjo rreze veprimi është e mjaftueshme që të arrijë te të gjitha vendet kyçe në Korenë e Jugut, përfshirë në bazat ushtarake të SHBA-ve, nëse raketa do të lëshohej afër kufirit mes Jugut dhe Veriut.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 50449 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE