Hamasi nuk pranon armëpushim 7-ditor siç kërkoi Izraeli!

vovalbania December 21, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Hamasi nuk pranon armëpushim 7-ditor siç kërkoi Izraeli!

Hamasi kundërshtoi propozimin e Izraelit për një armëpushim njëjavor në këmbim të lirimit të 40 pengjeve.

Negociatat do të fillojnë vetëm pasi të fillojë një armëpushim i vërtetë.

Kjo ishte përgjigjja e dhënë nga grupi militant palestinez, i shpallur “terrorist” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si edhe nga Bashkimi Europian. Ndërkohë, u shty sërish për sot votimi për rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Gazën.

Në formën aktuale, dokumenti kërkon që palët në konflikt të lejojnë, lehtësojnë e mundësojnë dërgimin e menjëhershëm, të sigurt e të papenguar të ndihmës së shtuar humanitare për popullatën civile palestineze në Rripin e Gazës. Kjo përmes rrugëve më të shpejta, si dhe bën thirrje për pezullim urgjent të armiqësive, për të lejuar depërtim të sigurt e të papenguar të ndihmës. Ndër të tjera, teksti i rezolutës autorizon një mekanizëm monitorues të OKB-së që të konfirmojë natyrën humanitare të ndihmave të dërguara në Gaza përmes disa pikave të kalimit.

Burime palestineze deklaruan:

Të paktën 36 persona u vranë dhe dhjetëra u plagosën në bombardimet e djeshme izraelite në Rafah e në Khan Yunis.

Edhe tre ushtarë izraelitë u vranë. IDF thotë se është në një “fazë të rëndësishme të luftës, në zona të reja” të Rripit të Gazës”.

Izraeli është zotuar se do të shkatërrojë Hamasin që qeveris Rripin e Gazës, pas sulmit të militantëve të grupit në pjesën jugore të Izraelit, më 7 tetor. Izraeli thotë se 1 mijë e 200 njerëz janë vrarë dhe rreth 240 janë rrëmbyer gjatë sulmit terrorist. Mbi 100 pengje vazhdojnë të mbahen në Gaza.

Izraeli është kundërpërgjigjur dhe sulmet izraelite kanë lënë rreth 20 mijë të vrarë në Gaza sipas Ministrisë së Shëndetësisë, dikaster i cili drejtohet nga Hamasi dhe që nuk bën dallimin ndërmjet viktimave civile e të armatosurve. Izraeli ka njoftuar se 132 ushtarë izraelitë janë vrarë gjatë sulmit tokësor.

Agjencia e OKB-së për Refugjatët Palestinezë, UNRWA thotë se konflikti ka detyruar 85% të popullatës së Gazës të braktisin shtëpitë. Shumë prej tyre po mundohen që të strehohen në vendstrehimet e OKB-së në pjesën jugore të Gazës e që siç bëhet e ditur, tashmë kanë tejkaluar shumëfish kapacitetin e tyre normal.

 

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49463 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE