Çekia në zi në këtë prag Krishtlindjeje, sulmi më fatal në historinë moderne të vendit!

vovalbania December 22, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Çekia në zi në këtë prag Krishtlindjeje, sulmi më fatal në historinë moderne të vendit!

Dje pasdite, të shtënat masive shkundën Çekinë, një nga vendet më të sigurta në botë. Me 14 të vrarë dhe dhjetëra të plagosur, kryeqyteti Pragë u kthye në kryelajm. Kryebashkiaku Bohuslav Svoboda:

Gjithmonë kemi menduar se kjo nuk është një gjë që na shqetëson. Për fat të keq, duket se edhe bota jonë po ndryshon.

Fakulteti i Arteve i Universitetit të Karlit, ku agresori qëlloi me breshëri plumbash gjendet në zemër të Pragës historike, vetëm pak minuta në këmbë nga sheshi i Qytetit të Vjetër në njërën anë dhe nga Ura ikonë e Karlit, në anën tjetër. Zona është atraksion turistik, me mijëra vizitorë që shijojnë tregjet e njohura të Krishtlindjes.

Të dyshuarin, policia çeke e identifikoi si 24 vjeç, student në Fakultetin e Arteve dhe e eliminoi. Sipas shefit të policisë, Martin Vondrashek, ai kishte leje dhe mbante armë të tilla.

Për të shtënat vdekjeprurëse në Fakultetin e Arteve, ende nuk është i qartë motivi. Policia ka informacione të pakonfirmuara se i dyshuari, i identifikuar nga mediat si David K, u frymëzua nga një ngjarje e ngjashme në Rusi, por nuk dha detaje të tjera.

Sulmi ishte më fatali në historinë moderne të Çekisë. Në dhjetor të vitit 2019, një sulm me armë në një spital të qytetit të Ostravës la të vrarë gjashtë vetë, përpara se agresori t’i jepte fund jetës. Më herët në vite, në shkurt 2015, një person hapi zjarr në një restorant në qytetin Uherski Brod, ku u vranë 8 persona.

Të shtënat në një kampus universiteti në Çeki nuk ka patur më parë. Pamje të njerëzve që hidheshin nga pjesa e jashtme e ndërtesës në katet lart për të shpëtuar nga sulmi do të mbeten gjatë në kujtesën çeke. Të tjerë vareshin në dritare.

Një tragjedi, të cilën e zmadhon edhe fakti që ndodhi në një shkollë kushtuar filozofisë dhe diskutimit paqësor.

Autoritetet e shpallën të nesërmen ditë zie në Çeki. Me flamujt që do të ulen në gjysmështizë dhe këmbanat që do të bien në të gjithë vendin, pritet të nderohen e të kujtohen të 14 të vrarët. Sipas Indeksit Global të Paqes, që Instituti për Ekonomi dhe Paqe publikon çdo vit, Çekia është ndër vendet më të sigurta në botë.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48801 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE