Edhe Apeli i Posaçëm nuk i kthen telefonin, Jamarbër Malltezit i rrëzohet kërkesa!

vovalbania December 22, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Edhe Apeli i Posaçëm nuk i kthen telefonin, Jamarbër Malltezit i rrëzohet kërkesa!

Apeli i Posaçëm rrëzoi kërkesën e Jamarbër Malltezit për kthimin e celularit të sekuestruar në kuadër të hetimeve për dosjen e privatizimit të klubit Partizani. Përmes avokatëve, dhëndri i ish-kryeministrit Berisha kërkoi kthimin e telefonit e të kompjuterave, si dhe të disa materialeve të tjera shkresore, të sekuestruara me urdhër të SPAK-ut. Prej 21 nëntorit, Malltezi ndodhet në arrest shtëpie ndërsa akuzohet për korrupsion pasiv e pastrim parash.

Po për dosjen Partizani, dje Kuvendi votoi pro heqjes së imunitetit të deputetit Sali Berisha, duke i hapur rrugë arrestimit të tij. Kuvendi i Shqipërisë i dërgoi SPAK-ut vendimin mbi dhënien e autorizimit për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit Sali Berisha, nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit. Bashkë me këtë vendim, Prokurorisë së Posaçme iu dërguan edhe dy raportet e maxhorancës e të deputetit Enkelejd Alibeaj në mbledhjen e Këshillit për Mandatet.

Përmes një korrieri special ose postës, SPAK-u i drejtohet Gjykatës së Posaçme për zëvendësimin e “Detyrimit për paraqitje” dhe “Ndalimit të daljes jashtë vendit” me një masë më të ashpër, “Arrest në burg” apo “Arrest në shtëpi”.

I akuzuar për “Korrupsion pasiv” në privatizimin e klubit Partizani, Sali Berisha refuzoi të zbatonte masën e “Detyrimit për paraqitje” që iu caktua dy muaj më parë.  Edhe seanca e djeshme plenare, e fundit e këtij sesioni parlamentar zgjati fare pak, vetëm 9 minuta. Nga PD-ja zyrtare nuk kishte asnjë deputet në sallë, as Enkelejd Alibeaj, i cili në mbledhjen e 18 dhjetorit në Këshillin e Mandateve dha OK-ein për heqjen e imunitetit të Sali Berishës.

Deputetë të përjashtuar për kaosin në seancat e kaluara tentuan të hynin në selinë e Parlamentit, por nuk u lejuan nga Garda. Ndërkaq, në sallë, sërish u ndezën flakadanë e Flamur Noka shtyu me karrige efektivë të Gardës. Jashtë Kuvendit, mbahej  protesta e opozitës me moton: “O SOT, O KURRË!”.

Sali Berisha reagoi pas votimit në Kuvend për heqjen e imunitetit të tij, duke e quajtur “akt të paligjshëm”. Pas mbledhjes së Kryesisë, ai reagoi nga selia ku tha se të shtunën, pra nesër do të mblidhet Këshilli Kombëtar. Ndërkaq, zbuloi se do të ristrukturohet sektori i organizimit.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49329 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE