Në telefon me Biden-in, Netanyahu: Izraeli do ta vazhdojë luftën!

vovalbania December 24, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Në telefon me Biden-in, Netanyahu: Izraeli do ta vazhdojë luftën!

Lufta në Lindjen e Mesme sot hyri në ditën e 79-të. Izraeli nuk ndalet në synimin për të shkatërruar Hamasin e ndërkohë vazhdon ofensivën ushtarake që deri tani ka marrë mijëra jetë palestinezësh në Rripin e Gazës. Shumica e tyre janë gra dhe fëmijë.

Teksa rikonfirmojnë mbështetjen për Izraelin, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vend që njihet si aleat i ngushtë i shtetit hebraik po kërkon që të mbrohet popullsia civile, si dhe ata që përkrahin aktivitetet humanitare. Kjo kërkesë iu përsërit kryeministrit Benjamin Netanyahu nga presidenti Joe Biden, në një bisedë telefonike mes tyre.

Sipas njoftimit zyrtar, kryeministri izraelit Netanyahu citohet të jetë shprehur:

Izraeli do të vazhdojë luftën derisa të arrijë objektivat e tij!

Shefi i Shtëpisë së Bardhë vuri në dukje edhe rëndësinë e lejimit të civilëve që të mund të lëvizin të sigurt nga zonat ku luftohet.

Eshtë shumë e nevojshme që të mbrohen civilët.

Ndërkaq, grupi radikal palestinez Hamas i shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Bashkimi Europian njoftoi se ka humbur kontaktet me një grup që mbante pesë pengje izraelite.

Ende në çështjen e pengjeve, Izraeli i ka propozuar Hamasit një armëpushim dy-javor për të liruar të burgosurit e tjerë. Numri i të vdekurve në Gaza ka arritur në mbi 20 mijë. Të plagosurit janë më shumë se 53 mijë.

Izraeli, 8 ushtarë të vrarë në Gaza: numri i viktimave rritet në 152

Ushtria izraelite njoftoi vdekjen e 8 ushtarëve, të vrarë në luftimet e zhvilluara në veri e në qendër të Rripit të Gazës. Që nga fillimi i operacionit tokësor, numri i ushtarëve të rënë në luftime është 152.

Lufta nisi më 7 tetor kur Hamasi sulmoi me raketa jugun e qendrën e Izraelit, si dhe mori pengje 240 vetë. Në shtetin hebraik u vranë mbi 1 mijë e 200 persona. Në 2 muaj e gjysmë luftime, palët ranë dakord vetëm për një armëpushim disa ditor, gjatë të cilit u liruan disa pengje nga Hamasi, të këmbyer me të burgosur palestinezë që mbaheshin në burgjet izraelite.

Përveçse në Rripin e Gazës, situata paraqitet e tensionuar edhe në Bregun Perëndimor. Nga komuniteti ndërkombëtar janë shtuar thirrjet për një armëpushim humanitar në Gaza.

 

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 50585 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE