U aksidentua gjatë punës në minierën e kromit në Bulqizë, 36-vjeçari niset me urgjencë në spital!

vovalbania December 25, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
U aksidentua gjatë punës në minierën e kromit në Bulqizë, 36-vjeçari niset me urgjencë në spital!

Një aksident me pasojë plagosen e një minatori ka ndodhur pak minuta më parë në një nga galeritë e kromit në Bulqizë.

Një minator 36 vjeçar mësohet se është plagosur gjatë punës në një galeri kromi të zonës D.

Ai është dërguar me urgjencë në spitalin e Bulqizës dhe me pas për mjekim të specializuar është nisur me helikopter drejt spitalit të Traumës në Tiranë.

Ngjarja e rëndë ndodhi ditën e krishtlindjes, teksa është festë zyrtare dhe ligji parashikon që kushdo që punon në sektorin publik apo privat, duhet të jetë pushim.

“Me datë 25.12.2023, rreth orës 14.00, është dërguar në spital për ndihmë mjekësore shtetasi V.A., 36 vjeç, i cili dyshohet se është aksidentuar gjatë punës në një minierë kromi në Bulqizë. Grupi hetimor po kryen hetimet në vendngjarje dhe po punohet për zbardhjen e rrethanave kësaj ngjarjeje”, sqaroi policia.

Prej vitesh minierat e Bulqizës janë kthyer në burim aksidentesh dhe shpesh herë me pasojë vdekjen për minatorët. Në 10 vitet e fundit, referuar të dhënave të Policisë së Bulqizës, rezulton se janë aksidentuar 150 minatorë.

Të dhënat e Autoriteti Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera tregojnë se sektori minerar shënon një numër të lartë të aksidenteve fatale në punë, me 39 persona që kanë humbur jetën gjatë viteve 2008 – 2022, vetëm në subjektet e licencuara. Numri i minatorëve që kanë humbur jetën në subjektet pa licencë mbetet i pa përcaktuar.

Në 19 prill të 2022 minatori Arben Stafa u  aksidentua në minierën Albchrome. SMBB reagoi atëherë duke u shprehur se “ky aksident është tentuar të mbahet i fshehtë”.

Në mars të 2022, në minierat e Bulqizës mbeti i plagosur minatori 40-vjeçar Rasim Laçi. Po në mars, humbën jetë dy minatorë në Tropojë. Në qershor 2022 u plagos minatori 51 vjeçar gjatë orarit të punës, në nivelin 20 të minierës së Albhcrome në Bulqizë.

Në korrik 2022 u plagos rëndë minatori 56-vjeçar Maksim Beça, ndërkohë që po në muajin korrik humbi jetën minatori 52-vjeçar Sazan Deda.

Ndërsa në tetor të vitit 2022, humbi jetën një tjetër minator 54 vjeç me inicialet K.L. Ky ishte aksidenti i katërt me pasojë vdekjen për vitin 2022. Në 2023 në muajin mars një minator u aksidentua në zonën minerare D.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48836 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE