Ndarja e PD-së/ Çështjen e vulës, Gjykata e Lartë e kthen për rigjykim në Apel!

vovalbania December 27, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Ndarja e PD-së/ Çështjen e vulës, Gjykata e Lartë e kthen për rigjykim në Apel!

Ende nuk ka një vendim përfundimtar për çështjen e vulës së Partisë Demokratike. Në një vendim të komunikuar rreth mesdite, Gjykata e Lartë vendosi që çështja të rikthehet në Apel për t’u shqyrtuar nga një tjetër trupë gjyqësore. Sipas Kolegjit Civil të kësaj gjykate, “me vendimin e 3 marsit të këtij viti, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, lejoi shkelje procedurale që e bëjnë të cënueshëm vendimin e dhënë prej saj”.

Kolegji konstaton se Apeli nuk i dha përgjigje kërkesave të palëve në ankimet respektive, ndërkohë që kryesisht ka marrë në shqyrtim çështje, për të cilat palët nuk i kanë ngritur si pretendime në ankim,

 

NJOFTIMI I PLOTË

Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë njofton, se në datën 27.12.2023, mori në shqyrtim në dhomë këshillimi çështjen me nr. 90600-00296-00-2023 akti, me palë kërkues: Partia Demokratike e Shqipërisë, përfaqësuar nga Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit, me objekt: “Depozitim ndryshimesh statutore dhe vendimmarrje të Kuvendit Kombëtar.”

Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, Kolegji Civil arriti në përfundimin se Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin nr. 44, datë 03.03.2023 ka lejuar shkelje procedurale që e bëjnë të cenueshëm vendimin e dhënë prej saj.

Kolegji konstaton se, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë nuk i ka dhënë përgjigje kërkesave të palëve në ankimet respektive, ndërkohë që kryesisht ka marrë në shqyrtim çështje për të cilat palët nuk i kanë ngritur si pretendime në ankim, dhe që gjithsesi nuk përbëjnë shkak për prishjen e vendimit dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim.

Kolegji vlerëson se pretendimet e ngritura në ankimet e paraqitura pranë Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë janë çështje të cilat mund të zgjidheshin vetë nga ajo gjykatë.

Në këto kushte, Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, mbështetur në nenin 480 dhe nenin 485, pika 1, shkronja “c” të Kodit të Procedurës Civile, vendosi:

“Prishjen e vendimit nr. 44, datë 03.03.2023 të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dhe kthimin e çështjes për rishqyrtim në po atë gjykate, me një trupë tjetër gjykuese”.

Më herët gjatë ditës, u zhvillua një protestë e thirrur nga opozita para Gjykatës së Lartë. Sali Berisha deklaroi se kurrë nuk lejojnë “nënshtrim poshtërues”, që Shqipëria të mbetet pa opozitë.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49383 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE