Krime lufte në Prijedor të Bosnjës, aktakuza për 5 komandantë serbë!

vovalbania December 30, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Krime lufte në Prijedor të Bosnjës, aktakuza për 5 komandantë serbë!

Prokuroria e Bosnjë-Hercegovinës njoftoi se ngriti aktakuzë ndaj pesë komandantëve të lartë të ushtrisë së Republikës Sërpska, nën dyshimin për krime lufte në një fshat në afërsi të qytetit veriperëndimor Prijedor, në vitin 1992.

Pesë komandantët e ushtrisë së Republikës Sërpska: Veljko Brajiç, Sllobodan Taranjeç, Ranko Kaurin, Branko Xhenopoljeç dhe Drashko Topiç, morën pjesë në sulmin e armatosur të artilerisë e këmbësorisë në fshatin e pambrojtur Brishevë, si dhe në qytezat përreth Prijedorit, i cili banohej kryesisht nga popullata civile e kombësisë kroate, në fund të korrikut 1992.

Në njoftimin për media të Prokurorisë së Bosnjës, thuhet:

Brenda vetëm pak orëve u vranë 61 njerëz. Më i riu prej tyre ishte një djalë 16-vjeçar, ndërsa më i moshuari, 81. Pati edhe një viktimë të mitur me kombësi boshnjake. Tre persona u zhdukën dhe eshtrat e tyre nuk janë gjetur.

Disa viktima u përdhunuan dhe u abuzuan seksualisht gjatë sulmit e dhjetëra njerëz, kryesisht burra, u dërguan në kampet e Prijedorit.  Disa vdiqën gjatë rrugës e të paktën tre persona të sjellë nga Brisheva, u vranë në kampin Omarska.

Gjatë sulmit, objekte fetare e civile u shkatërruan dhe u dogjën. Popullata civile e mbijetuar nga Brisheva e zonat e tjera fqinje u dëbua dhe u zhvendosën me forcë, rreth 350 persona.

Trupat e një numri të madh viktimash u gjetën, u zhvarrosën dhe u identifikuan gjatë viteve 1997, 1998 e 2001.

Prokuroria e Bosnjë-Hercegovinës ka thirrur 143 dëshmitarë. 5 prej tyre do të dëshmojnë nën masa të caktuara mbrojtëse. Po ashtu u angazhuan dy ekspertë, si dhe u dorëzuan më shumë se 300 prova materiale. Në Prijedor dhe zonat përreth u vranë 3 mijë e 176 njerëz.

Rreth 30 mijë persona të kombësisë joserbe kaluan nëpër kampet Trnopolje, Omarska e Keraterm në Prijedor. Sipas informacioneve të Shoqatës së Viktimave, për krimet në Prijedor janë dhënë dënime me rreth 800 vjet burg në total.

Njëmbëdhjetë persona u dënuan në Hagë dhe katër të tjerë në Gjykatën e Bosnjë-Hercegovinës, pas transferimit të çështjes.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 50259 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE