Ngrica e dëbora në veri dhe verilindje, probleme me furnizimin me energji në disa zona!

vovalbania November 27, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Ngrica e dëbora në veri dhe verilindje, probleme me furnizimin me energji në disa zona!

I gjithë veriu është përfshirë nga temperaturat e ulëta në 48 orët e fundit e në zonat e thella të tyre vazhdojnë reshjet e dëborës. Në Kelmend, Theth, Dukagjin, Pukë e Fushë-Arrëz nuk raportohen probleme në rrugë. Në akset drejt pikave turistike të Razmës, Thethit e Lepushës, punohet gjithë kohën për t’i mbajtur të hapura. Por, në Lepushë e Vermosh, banorët thonë se kanë rreth një javë pa energji elektrike. Për shkak të sistemit të vjetër të shpërndarjes së energjisë, gjatë dimrit, këto zona kanë probleme të vazhdueshme me dritat.

Edhe në qarkun e Dibrës, disa fshatra po përballen me mungesë të energjisë elektrike, për shkak të motit me borë të dendur e me temperatura të ulëta.

Në Bulqizë, prej tre ditësh ka ndërprerje në njësitë Ostren, Trebisht e Gjoricë, si dhe në Shupenzë, Zerqan, Fushë-Bulqizë e Martanesh e kjo për shkak të dëmtimit të linjave të transmetimit. Grupet e punës së OSHEE-së janë në terren për riparimin e linjave, por e kanë mjaft të vështirë për shkak të trashësisë së dëborës e bllokimeve të disa rrugëve rurale.

Në akset rrugore kombëtare të Qarkut Dibër nuk ka më dëborë, por ka prani të akullit, ndaj drejtuesit  e mjeteve duhet që të tregojnë kujdes.

Rruga e Arbrit është e kalueshme, por edhe aty ka prezencë të akullit, ashtu sikurse te pishat e Bulqizës edhe pse në rrugë është hedhur kripë.

Aksi Peshkopi-Kukës ka akull nga Sllova deri në Vasie. Në orët e para të mëngjesit e gjatë natës duhet që të përdoren zinxhirë. Po ashtu po punohet në rrugën e Lurës.

Sipas OSHEE-së, energjia elektrike është rikthyer në pjesën më të madhe, ndërsa ende ka disa fshatra të njësisë Maqellarë që janë pa drita.

Sa i përket Matit, problematike mbeten rrugët rurale në fshatrat Zall-Gjoçaj e Selitë, që vijojnë të jenë të bllokuara.

Temperatura të ulëta e ngrica, ja pamjet që ofron sot qyteti verior i Pukës:

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49831 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE