Fermerët gjermanë në protestë kundër heqjes së subvencioneve!

vovalbania January 08, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Fermerët gjermanë në protestë kundër heqjes së subvencioneve!

Fermerët gjermanë filluan një javë protestash mbarëkombëtare duke bllokuar rrugët me traktorë për të kundërshtuar planet e qeverisë në ndalimin gradual të subvencioneve bujqësore. Në disa akse të Gjermanisë ku temperaturat janë tepër të ulëta, disa gradë nën zero, shihen traktorë dhe kamionë. Në disa prej tyre bien në sy afishe me mbishkrimin: “Pa bujq nuk ka ushqim dhe as të ardhme”.

Në kryeqytetin gjerman Berlin, dhjetëra traktorë të vendosur në rresht pamundësuan hyrjen në rrugën që dërgon drejt portës Brandenburg. Policia gjermane njoftoi se u bllokuan rrugët dhe hyrjet në autostrada në shumë pjesë të Gjermanisë, duke shkaktuar rëndim në trafik gjatë orëve të mëngjesit kur është edhe piku.

Fermerët janë zotuar të bllokojnë rrugët kryesore dhe ato logjistike për një javë, duke thënë se heqja e lehtësimeve tatimore do t’i detyrojë të braktisin punët e tyre.

Joachim Rukwied, kryetar i Shoqatës së Bujqve të Gjermanisë (DBV), u kërkoi qytetarëve mbështetje:

Ne nuk duam ta humbim përkrahjen dhe solidaritetin që e kemi marrë nga një pjesë e madhe e popullit. Por, ne nuk do ta pranojmë rritjen e planifikuar të tatimit për sektorin e bujqësisë.

Kritikat e bëra që javën e kaluar e nxitën koalicionin e kancelarit Olaf Scholz të bëjë ndryshime të papritura, përfshirë ndryshimin e planeve për heqjen e subvencioneve për bujqësinë. Ky koalicion nxiton  ta finalizojë buxhetin e vitit 2024, pasi u vonua me vendim gjykate.

Në vend që t’i japë fund uljes tatimore për naftën e përdorur në bujqësi, qeveria planifikon që subvencionet të ulen me 40% këtë vit, me 30% më 2025-ën e do të hiqen plotësisht më 2026-ën.

Po ashtu, qeveria hoqi dorë nga planet për t’i dhënë fund trajtimit të privilegjuar për tatimet në automjetet për bujqësinë dhe pyjet. Por, DBV-ja tha se këto ndryshime nuk mjafton dhe se protestat do të mbahen këtë javë.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49207 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE