Sulme ajrore ruse në mbarë Ukrainën, “shi” raketash lundruese!

vovalbania January 08, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Sulme ajrore ruse në mbarë Ukrainën, “shi” raketash lundruese!

Rusia sulmoi rajonet e Ukrainës me një breshëri raketash nga ajri duke vrarë tre persona e plagosur mbi 30 të tjerë, si dhe janë shkaktuar dëme në infrastrukturën civile. Ushtria ukrainase tha se në shumicën e vendit, përfshirë kryeqytetin Kiev, ranë sirenat për sulme ajrore.

Dhjetëra bombardues strategjikë rusë hodhën raketa lundruese, përfshirë ato hipersonike të llojit “Kinzhal”. Ushtria ukrainase raportoi se ka rrëzuar 18 raketa e tetë dronë të prodhuar nga Irani.

Pati shpërthime të shumta në rajonet Harkiv, Dnipro, Kriv Rih, Hmelnitski e Zaporizhja. Dy persona u vranë në Hmelnitski ku 6 shpërthime shkaktuan dëme në infrastrukturë referuar administratës shtetërore të këtij rajoni.

Në Krivi Rig, guvernatori rajonal Serhiy Lysak tha se një grua u vra nga raketat ruse. Oleksandr Vilkul, kryetar i Këshillit të Mbrojtjes vuri në dukje se qyteti është duke u përballur me sulme ajrore.

Në qytetin Novomoskovsk në rajonin e Dnipropetrovskit, një autobus i vogël i transportit publik, i mbushur me udhëtarë, u rrokullis si pasojë e forcës së një shpërthimi. Tre ndërtesa administrative, dy pompa karburanti dhe një godinë banimi pesëkatëshe u dëmtuan. 24 njerëz u plagosën, përfshirë pesë fëmijë dhe u dërguan në spital.

Guvernatori rajonal i Harkivit, Oleh Synyehubov tha se qyteti u godit nga të paktën katër raketa që dëmtuan një ndërmarrje industriale dhe një institucion arsimor. Dy vetë u plagosën e dy të tjerë u bllokuan nën rrënoja.

Guvernatori Yuriy Malashko raportoi për pesë shpërthime në Zaporizhja dhe shtoi se dy persona u plagosën si pasojë e sulmeve, që gjithashtu dëmtuan zonat e banimit.

Ndërkohë, Vyacheslav Gladkov, guvernator i rajonit rus Belgorod që kufizohet me Ukrainën, tha se rreth 300 qytetarë janë evakuuar vullnetarisht nga qyteti i Belgorodit, pas sulmeve të Ukrainës pranë kufirit.

Rreth 300 qytetarë të Belgorodit, të cilët vendosën të largohen, janë strehuar përkohësisht në qendrat e akomodimit në Stari Oskol, Gubkin dhe Koroçanski.

Më 30 dhjetor, zyrtarët rajonalë të Belgorodit thanë se nga sulmet ukrainase në këtë qytet u vranë 25 njerëz. Ukraina e sulmoi qytetin rus si përgjigje ndaj sulmeve ruse me raketa në Ukrainë, ku u vranë dhjetëra njerëz.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 51125 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE