Albin Kurti: Asociacioni nuk është prioritet për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë!

vovalbania January 11, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Albin Kurti: Asociacioni nuk është prioritet për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë!

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha sot se Asociacioni i komunave me shumicë serbe “nuk është top prioriteti për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”, por Marrëveshja bazë mes dy vendeve. Kurti i bëri këto deklarata gjatë një konference të përbashkët për media me homologun e Irlandës, Leo Varadkar, i cili u shpreh se “Asociacioni duhet të formohet, por jo duke krijuar një mikro-shtet brenda Kosovës”.

Pas takimit me kryeministrin irlandez, Kurti kërkoi që çështja e draft-statutit të Asociacionit të mos veçohet nga paketa e marrëveshjes bazike.

Asociacioni nuk është top prioriteti i normalizimit, është marrëveshja bazike, andaj të gjithë kolegët e mi, jo vetëm në Kosovë, unë i lus që të mos e nxjerrin nga paketa draft-statutin ose Asociacionin si një çështje. Nga 11 nenet e Marrëveshjes bazike, së paku tetë janë shkelur nga Serbia.

Për këtë, kërkoi reagim nga Bashkimi Europian.

Ne kërkojmë siguri ligjore, jo vetëm për zbatim të marrëveshjes, por edhe për respektim e mos-shkelje të saj. Kjo është arsyeja kryesore pse kemi kërkuar të ketë nënshkrim të marrëveshjes.

Më 22 dhjetor 2023, përmes një shkrimi në Facebook, Kurti propozoi që ai dhe ministrat, të shkruajnë një statut për formimin e Asociacionit. Sot deklaroi:

Kam shprehur aftësi vetjake për ta shkruar dhe le ta diskutojmë por të mos ngatërrojmë hierakrinë e gjerave: marrëveshja bazike, aneksi i zbatimit dhe vetëm më pas mund të flasim për asociacionin.

Ndërkaq, homologu irlandez theksoi:

Themelimi i Asociacionit duhet të bëhet edhe në koordinim me [komunat veriore të Kosovës] dhe nuk dua të shoh një mikro-shtet të krijuar brenda Kosovës, kjo nuk do të ishte diçka e dobishme për të ardhmen. Dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit është jetik për zhvillim të mëtejshëm të vendeve. Po ashtu, është e rëndësishme që stabiliteti të konsolidohet në Kosovë. Nuk dëshiroj të shoh kthim të skenave të dhunshme si ato në maj dhe në shtator.

Pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Varadkar shprehu mbështetjen e Irlandës për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës dhe Bashkimin Europian.

Irlanda është ndër vendet e para që e ka njohur pavarësinë e Kosovës, në vitin 2008.

Kryeministri Kurti dhe unë pajtohemi që e ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Europian e në Këshillin e Europës. Me shumë dëshirë do ta përkrah Kosovën të bëhet anëtare e Këshillit të Europës këtë vit e të fillojë edhe procesin e negociatave të anëtarësimit me BE-në.

Varadkar shtoi se qëndrimi i qeverisë irlandeze është që masat kufizuese të BE-së ndaj Kosovës të largohen. Pas takimit me Kurtin, në vizitën e tij të parë në Kosovë, kryeministri irlandez u prit edhe nga presidentja Vjosa Osmani.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49207 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE