Sulmet e 3 janarit në Iran, 35 të arrestuar/Njëri nga kamikazët, shtetas i Taxhikistanit!

vovalbania January 11, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Sulmet e 3 janarit në Iran, 35 të arrestuar/Njëri nga kamikazët, shtetas i Taxhikistanit!

Tridhjetë e pesë persona u arrestuan në provinca të ndryshme në lidhje me sulmet e 3 janarit në qytetin juglindor të Kermanit në Iran ku mbetën të vrarë 94 vetë. Deri tani është identifikuar njëri nga dy atentatorët kamikazë e sipas burimeve zyrtare është fjala për një shtetas nga Taxhikistani, i cili në Republikën Islamike kishte hyrë ilegalisht më 19 dhjetor 2023. Më shumë informacione për sulmuesin e dytë pritet të jepen më vonë gjatë javës.

Shteti Islamik mori përgjegjësinë më 4 janar 2024 për sulmin e përgjakshëm që gjithashtu plagosi 284 persona të tjerë. Shpërthimet ndodhën gjatë shënimit të 4-vjetorit të vdekjes së ish-komandantit iranian, gjeneralit Qassem Soleimani, i cili u vra para katër viteve në një sulm ajror amerikan në kohën kur president i SHBA-ve ishte Donald Trump.

Teherani zyrtar u zotua të hakmerret për sulmin më të rëndë të këtij lloji për Iranin që nga koha e Revolucionit Islamik të vitit 1979.

Përmes një deklarate, grupi militant tha se dy anëtarë të tij “aktivizuan jelekët e tyre me eksplozivë” në mes “të një turme të madhe njerëzish të mbledhur pranë varrit të liderit të tyre”.

Shpërthimet në Kerman kanë nxitur frikën se mund të zgjerohet konflikti në rajon. Kjo pasi në Rripin e Gazës, Izraeli po e vazhdon luftën kundër Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Bashkimi Europian. Po ashtu, grupi rebel Huthi nga Jemeni dhe i lidhur me Iranin, po i vazhdon sulmet ndaj anijeve tregtare në Detin e Kuq.

Autoritetet iraniane e shpallën 4 janarin ditë zie për viktimat e shpërthimeve. Presidenti i Iranit, Ibrahim Raisi u zotua se “padyshim, autorët e këtij akti frikacak do të identifikohen dhe për aktin e tyre do të ndëshkohen së shpejti nga forcat e sigurisë e të rendit”.

Përvjetorët e vdekjes së Soleimanit edhe më parë kanë tërhequr turma të mëdha. Në funeralin e tij në vitin 2020, mijëra njerëz morën pjesë e shtypën njëri-tjetrin, duke lënë të vdekur 56 persona e të plagosur më shumë se 200 të tjerë.

Soleimani ishte arkitekt i aktiviteteve ushtarake rajonale të Iranit dhe konsiderohej si ikonë kombëtare në mesin e mbështetësve të teokracisë në Republikën Islamike.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49342 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE