Taksa e ndikimit në infrastrukturë në Vlorë rritet nga 4 në 6-8%/ Paralajmërohet shtrenjtim i apartamenteve!

vovalbania January 11, 2024 0 koment 3 Mund të lexoni në minuta.
Taksa e ndikimit në infrastrukturë në Vlorë rritet nga 4 në 6-8%/ Paralajmërohet shtrenjtim i apartamenteve!

Nga 1 janari 2024 nisi zbatimin rritja e taksës së ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja nga 4% në 6% për disa zona të qytetit të Vlorës. Maksimumi i shkallës tatimore prej 8% (sa niveli i Tiranës) do të aplikohet në më shumë zona. Vendimi për ndryshimin e taksës së ndikimit në infrastrukturë është miratuar nga Këshilli Bashkiak në mbledhjen e muajit dhjetor 2023.

Sipas vendimit të miratuar, norma e taksës 6% të ndikimit në infrastrukturë për ndërtimet e reja do të aplikohet për objektet që ndodhen në vijën e parë në zonat, si: nga rruga “Pelivan Leskaj” deri në Njësinë Administrative Orikum, përgjatë rrugëve “Sazani” dhe “Gjergj Kastrioti” (në Transballkanike), bulevardit “Ismail Qemali” dhe rrugës “Pelivan Leskaj”.

Ndërsa aplikimi i maksimumit të shkallës tatimore 8% do të përfshijë edhe ndërtimet e reja nga zona e Skelës deri në zonën e Tunelit. Në vendimin e mëparshëm në vijën e parë të ndërtimit me normën tatimore 8% përfshiheshin ndërtimet nga zona e Skelës deri te Rrapi.

Vitet e fundit Vlora është kthyer në një destinacion të rëndësishëm turistik, çka ka nxitur interesin për blerjen e pasurive të paluajtshme në qytet, që kanë arritur deri në 2800 euro/m2 në zonën e Lungomares dhe mbi 3000 euro/m2 në resorte.

Shoqata e Ndërtuesve paralajmëron se rritja e taksës së ndikimit në infrastrukturë në qytetin e Vlorës pritet të sjellë shtrenjtim të çmimeve të apartamenteve.

Kryetari i Shoqatës së Ndërtuesve të Shqipërisë, Erjon Harizi më herët pohoi për Monitor se në tërësi në sektorin e ndërtimit përgjatë 2024-ës, pritet që kostot direkte të shtrenjtohen nga rritja e taksave.

Në ndërtim, kostot direkte nuk do të jenë më të larta, ndërsa ndikimi i taksave nga qeveria pritet të jetë në rritje. Nëse në Tiranë sot aplikohet maksimumi i taksës së ndikimit në infrastrukturë (8%), disa qytete, si p.sh Vlora hodhën diskutimin për rritjen e kësaj takse nga 4% që e ka aktualisht në 6%. Ndërsa ndryshimet e çmimeve të referencës do të japin efekt në qytetin e Tiranës dhe pritet të rrisin mesatarisht 40% kostot e ndërtimit. Sigurisht që ky shtim kostosh do të shoqërohet me rritje të çmimeve.

Taksës së ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja i nënshtrohen të gjitha subjektet që kërkojnë të pajisen me leje zhvillimore dhe leje ndërtimi për objekte banimi, administrative, prodhimi, shërbimi e tjera.

Për kryeqytetin, taksa e ndikimit në infrastrukturë është në nivelin 8%. Në 5 vite, përkatësisht periudha 2018-2022, sipas të dhënave të projektbuxhetit të vitit 2024, Bashkia Tiranë ka mbledhur nga taksa e infrastrukturës për ndërtime të reja 32,9 miliardë lekë. Arkëtimet nga kjo taksë kanë shënuar rritje pas vitit 2018. Në 2022-shi, nga kjo taksë, bashkia më e madhe në vend arkëtoi 7,4 miliardë lekë. Arkëtimet e pritshme nga kjo taksë për vitin 2023 parashikohen 7 miliardë lekë. Parashikimet e arkëtimeve për këtë taksë referuar të dhënave të projektbuxhetit pritet të jenë për 2024-ën në vlerën e 6,3 miliardë lekëve. Në 2025-2026, arkëtimet do të jenë nga 6,5 miliardë lekë.

Me vendimin e muajit korrik 2023, qeveria ndryshoi çmimet e referencës për shitblerjen e apartamenteve vetëm për 32 zonat kadastrale të Tiranës dhe 5 komuna, si Farkë, Dajt, Petrelë, Kashar e Prezë. Rritja mesatare e çmimeve të referencës për 32 zonat kadastrale të kryeqytetit llogaritet rreth 29,600 lekë për metër katror. Shoqata e Ndërtuesve ngriti shqetësimin se rritja e çmimeve të referencës do të rrisë detyrimin e tyre për taksën e ndikimit në infrastrukturë që llogaritet mbi çmimet e referencës.

Nga ndryshimi i çmimeve të referencës pritet të ketë shtim të detyrimit për familjarët dhe bizneset edhe për taksën e përkohshme të infrastrukturës arsimore, pasi vlera e saj është në masën 35% të detyrimit të taksës së ndërtesës për të njëjtin subjekt si familje apo subjekt tregtar. Në rrethe, referencat mbetën të pandryshuara. Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete pohoi më herët se këtë vit do të ketë rishikim të çmimeve të referencës edhe në zonat bregdetare, me qëllim përafrimin e tyre me vlerat e tregut. /Monitor

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 50821 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE