“Spitali pediatrik me fluks virusesh dhe fruthi ”, mjekët bëjnë thirrje: Vaksinohuni!
Situata e rënduar epidemiologjike, ku qarkullojnë shumë viruse, si fruth, grip, varicelë e shumë viroza, ka bërë që në shërbimin e pediatrisë të vijnë fëmijë me infeksione në sistemin nervor, meningite dhe encefalite, dhe që Shërbimi Infektiv në Pediatari të jetë i mbushur me pacientë të vegjël.
“Janë vërtet sëmundje të rëndësishëm, pasi vetë virusi i fruthit apo influenza kalon direkt në tru, duke shkaktuar probleme madhore tek fëmijët e vegjël”, tha Xhorxhian Kuli, Shefe e Shërbimit infektiv në Pediatri.
Shefja e Shërbimit Infektiv bën thirrje për vaksinim ndaj fruthit, në mënyrë që të parandalohet ndonjë epidemi e mundshme përsa kohë ka shumë të pavaksinuar.
“Kemi dy të shtruar, të dyshuara dhe po i mbajmë të izoluar që të frenojmë përhapjen”, tha Kuli.
Një shpërthim i fruthit në këtë situatë më shumë viruse do të rriskonte shumë fëmijët e vegjël, sidomos ata nga 6 muaj deri në 1 vjeç, të cilët janë të pavaksinuar.
“Ne pamë këtë vit një grip që kishim vite që nuk e shikonim, me një klinikë agresive tek fëmijët e vegjël”, tha shefja e Shërbimit Infektiv.
Doktoreshë Kuli thotë se ka një rënie të numrit fëmijëve që shtrohen. Aktualisht pavioni është i mbushur. Ka 35 fëmijë të shtruar.
Kujtojmë se pak ditë më parë në vendin tonë u konfirmuan edhe rastet e para të fruthit.
Futja e fruthit në vendin tonë vjen pas alarmit të dhënë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë se në gjithë Europën po rriten rastet me fruth. OBSH u bën thirrje vendeve që të kryejnë urgjentisht fushata vaksinimi.
Çfarë është fruthi?
Fruthi është një infeksion viral i sistemit respirator. Fruthi është një nga sëmundjet më ngjitëse në botë. Fruthi përhapet nga kollitja dhe teshtitja, kontakti i afërt ose i drejtpërdrejtë me sekrecionet e hundës ose të fytit, 4 ditë para dhe pas skuqjes.. Virusi mbetet aktiv dhe ngjitës në ajër ose në sipërfaqet e infektuara deri në 2 orë.
Virusi shkakton temperaturë të lartë, ethe, rrjedhje hundësh, kollë, sy të skuqur dhe të përlotur dhe njolla të vogla të bardha në mukozën që vesh zgavrën e gojës. Skuqje në fytyrë, trup, duar dhe këmbë.