Këshilli Ekonomik Kombëtar rinis punë, kryeministri Rama: Dialog i hapur dhe konstruktiv qeveri-biznes!

vovalbania January 12, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Këshilli Ekonomik Kombëtar rinis punë, kryeministri Rama: Dialog i hapur dhe konstruktiv qeveri-biznes!

Këshilli Ekonomik Kombëtar rinisi punën me mbledhjen e parë të zgjeruar për këtë vit, nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama, njëkohësisht kryetar i tij, duke çelur një kapitull të ri për riaktivizimin e një dialogu sa më të hapur dhe konstruktiv mes qeverisë dhe biznesit.

KEK do të shërbejë si një platformë për dialogun e shtuar, duke krijuar edhe disa komitete sektoriale të veçanta, të cilat janë të domosdoshme me qëllim marrjen dhe përthithjen e dijes që komuniteti i biznesit zotëron për sektorët specifikë.

Përmes Sekretariatit të tij, Këshilli Ekonomik Kombëtar do të bëhet pika hyrëse e adresimit të problematikave, të shqetësimeve që biznesi ka në kryerjen e aktivitetit të përditshëm.

Në fjalën e mbajtur në këtë takim, kryeministri Rama u shpreh se “kemi arsye të qenësishme për t’u ndjerë optimistë për të nesërmen”.

Por kemi edhe arsye të qenësishme për të reflektuar mbi gjërat që duhen bërë më mirë ose që mbeten për t’u bërë, në mënyrë që edhe viti në të cilin jemi dhe viti i ardhshëm të vazhdojnë të na japin progresin e vitit të shkuar dhe të vitit përpara tij.

Kryeministri theksoi se viti që sapo u mbyll ishte një vit i mirë për ekonominë shqiptare dhe ishte një vit i jashtëzakonshëm në mënyrë të veçantë për turizmin në Shqipëri, duke bërë që të ardhurat nga turizmi të kalojnë shifrën e 3 miliardë eurove.

Numri i turistëve është më shumë se trefishi i popullsisë rezidente në Shqipëri. Nga ana tjetër, gjithë kjo situatë pozitive e ekonomisë u reflektua edhe në një rënie të mëtejshme të papunësisë, në 10.5%.

Rama theksoi se viti i shkuar ishte viti me shifrën më të lartë të investimeve të huaja direkte.

Po ashtu edhe një vit që dha progres të mëtejshëm edhe në hapjen e ekonomisë sonë në rajon, por jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë, me më shumë aktorë, më shumë aktivitet edhe jashtë kufijve të vendit me një bilanc tregtar të përmirësuar më tutje, me eksporte të rritura dhe me një interes shumë të rritur të investitorëve të huaj, sidomos në fushën e energjisë dhe turizmit për të investuar në Shqipëri.

Ne, këtë Këshill e konsiderojmë një instrument për të adresuar bashkërisht problemet, për të diskutuar bashkërisht për mënyrën se si duhet t’i qasemi sfidave dhe për të ndërvepruar me sektorin privat dhe me institucione të tjera të pavarura, në mënyrë që procesi i rritjes të jetë një proces që të shfrytëzojë sa më shumë nga potenciali i Shqipërisë edhe nga mundësitë ende të pashfrytëzuara që kemi.

Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen, ka një përgjegjësi të posaçme, në radhë të parë në aspektin e krijimit të një sinergjie sa më optimale mes institucioneve dhe sipërmarrjes.

Përveç drejtuesve dhe anëtarëve të KEK, në mbledhje morën pjesë edhe personalitete kombëtare e ndërkombëtare, disa prej të cilëve të pranishëm online; përfaqësues të organizatave të biznesit dhe të ftuar të tjerë të fushës.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49744 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE