Në ‘arrest shtëpie’ prej disa javësh, Berisha kërkon leje në SPAK për të shkuar në Parlament!

vovalbania January 16, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Në ‘arrest shtëpie’ prej disa javësh, Berisha kërkon leje në SPAK për të shkuar në Parlament!

Avokatët ish-kryeministrit Sali Berisha i janë drejtuar me një kërkesë prokurorëve të SPAK-ut, për ta lejuar të marrë pjesë në seancat plenare të Kuvendit.

Ata argumentojnë se kjo është një e drejtë dhe detyrim kushtetues për të përmbushur detyrën si ligjvënës. Kërkesa është bërë më datën 15 janar.

Tashmë vendimmarrja mbetet në dorë të prokurorëve Arben Kraja e Enkeleida Millonai për të pranuar ose jo kërkesën e ish-kryeministrit.

GJKKO vendosi të lërë në “arrest shtëpie” ish-kryeministrin Sali Berisha në 30 dhjetori 2023, i akuzuar për aferën e privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani” në Tiranë. Më 21 dhjetor 2023, Kuvendi i hoqi imunitetin Berishës me 75 vota pro.

Nga ana tjetër kërkesat e vazhdueshme të avokatëve të tij mbrojtës për përjashtim të gjyqtares Irena Gjoka, trupi gjykues i ka vlerësuar se ato janë kryer  me qëllim për të zvarritur procesin.

Vendimi i zbardhur iu vu në dispozicion ish-kryeministrit Berisha dhe avokatëve të tij mbrojtës që paralajmëruan se do i drejtoheshin Gjykatës së Posaçme të Apelit për të hequr masën e arrestit. shtëpiak.

Ndërkohë çdo mbrëmje dhjetëra mbështetës të Berishës mblidhen para shtëpisë së tij në rrugë “Mustafa Matohiti” në Tiranë, duke protestuar për masën që e la atë në “arrest shtëpie”.

Në shkelje të ligjit, që e ndalon të flasë me persona të tjerë përveç familjarëve të tij, Berisha ka mbajtur fjalime nga dritarja e banesës.

Berisha është në hetim për veprën penale të korrupsionit së bashku me dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, i cili akuzohet nga SPAK se ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij.

Si Berisha ashtu edhe Malltezi i kanë kundërshtuar akuzat dhe e kanë cilësuar hetimin si të orkestruar nga kryeministri Edi Rama. Gjithashtu, Berisha dhe mbështetësit e tij e kanë cilësuar këtë masë si përpjekje për asgjësimin e opozitës.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49065 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE