Irani sulmon Pakistanin, kryen sulm ajror!

vovalbania January 17, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Irani sulmon Pakistanin, kryen sulm ajror!

Pakistani njofton se Irani kreu një sulm ajror në territorin e tij, duke vrarë dy fëmijë. Kjo pasi Teherani kreu sulme edhe në Irak dhe Siri, kundër atyre që i quan “grupe terroriste anti-iraniane”. Islamabadi dënoi sulmin ajror që ndodhi në orët e vona të mbrëmjes pranë kufirit mes dy shteteve, duke e cilësuar “krejtësisht të papranueshëm” dhe shtoi se ishte “i paprovokuar”.

Irani ende nuk ka komentuar, por agjencia shtetërore e lajmeve, Nour News, tha se sulmi shkatërroi selinë në Pakistan të grupit xhihadist, Jaish al-Adl (Ushtria e Drejtësisë). I formuar në vitin 2012, Jaish al-Adl gjendet në listë të zezë të Iranit, pasi Teherani e konsideron grup terrorist e që ka kryer disa sulme në tokën iraniane vitet e fundit.

Sulmi vjen pasi Irani kreu sulme me raketa ndaj “selisë së spiunëve” në rajonin gjysmë-autonom kurd të Irakut dhe ndaj objektivave “terroriste” në Siri.

Sulmet iraniane thellojnë krizën në mbarë Lindjen e Mesme, me Izraelin që po lufton kundër Hamasit,  grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian në Gaza dhe rebelët e lëvizjes Huthi të Jemenit, që po sulmojnë anijet tregtare në Detin e Zi.

Në deklaratën zyrtare të Pakistanit nuk u tha se ku ndodhi sulmi, por mediat në këtë shtet njoftuan se ndodhi afër Panjgurit në provincën jugperëndimore të Baloçistanit, ku dy shtetet ndajnë një kufi prej pothuajse 1.000 kilometrash.

Disa orë para sulmit, kryeministri në detyrë i Pakistanit, Anwar-ul-Haq Kakar, ishte takuar me ministrin e Jashtëm iranian, Hossein Amir-Abdollahian, në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës.

Kjo shkelje e sovranitetit të Pakistanit është krejtësisht e papranueshme dhe mund të ketë pasoja serioze. U vranë dy fëmijë të pafajshëm dhe u plagosën tre vajza.

Pas sulmit, Pakistani thirri në bisedë kryediplomatin e Teheranit në Islamabad, për të protestuar “shkeljen e paprovokuar të hapësirës ajrore”.

Dje në mbrëmje, agjencia Nour News postoi në X mesazhin ku shkruhej:

Pak minuta më parë, dy seli të rëndësishme të grupit terrorist Jaish-ul-Adl u shënjestruan në Pakistan. Këto seli u shkatërruan nga raketat dhe dronët.

Dhjetorin e kaluar, ky grup kishte marrë përgjegjësinë për sulmin ndaj një stacioni policor në Rask, ku u vranë të paktën 11 zyrtarë policorë iranianë.

Po ashtu, Shtetet e Bashkuara e cilësojnë grupin Jaish al-Adl si organizatë terroriste dhe thonë se shënjestër kryesore, ky grup ka personelin iranian të sigurisë, si edhe zyrtarët qeveritarë e civilët përmes vrasjeve, rrëmbimeve dhe sulmeve vetëvrasëse me bombë.

Teherani dhe Islamabadi shpesh akuzojnë njëri-tjetrin se lejojnë militantët të kryejnë sulme në territoret respektive, por forcat zyrtare rrallë përleshen mes tyre.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48894 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE