Vazhdojnë sulmet amerikane kundër rebelëve Huthi/Biden e pranon se nuk kanë arritur t’i ndalin!

vovalbania January 19, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Vazhdojnë sulmet amerikane kundër rebelëve Huthi/Biden e pranon se nuk kanë arritur t’i ndalin!

Forcat amerikane kanë kryer sulmet e pesta ajrore në Jemen kundër lëvizjes rebele Huthi, që mbështetet nga Irani. Presidenti Joe Biden e pranoi se bombardimet amerikane dhe britanike ende nuk kanë ndaluar sulmet e rebelëve jemenas ndaj anijeve në Detin e Kuq që kanë penguar transportin botëror.

Sulmet e fundit të kryera dje shkatërruan dy raketa kundër anijeve të Huthëve që “synonin jugun e Detit të Kuq dhe ishin bërë gati të hidheshin”, njoftoi Komanda Qendrore amerikane përmes një postimi në X.

Pentagoni tha se sulmet u kryen nga një avion i Marinës Amerikane i llojit, F/A-18. Biden u shpreh se SHBA-të do të vazhdojnë sulmet, edhe pse ato deri më tani nuk i kanë ndaluar Huthët që të vazhdojnë të pengojnë anijet tregtare e ushtarake.

Kur thoni nëse sulmet po funksionojnë, a po i ndalojnë Huthët, jo! Por, sulmet do të vazhdojnë!

Ishin këto fjalët e Biden-it për gazetarët gjatë nisjes nga Shtëpia e Bardhë për në Karolinën e Veriut. Disa orë pas kësaj deklarate të presidentit amerikan, gjenerali i Huthëve, Yahya Saree tha se lëvizja rebele ka kryer një sulm tjetër me raketa kundër anijes Chem Ranger, që është në pronësi të SHBA-ve. Sipas Saree, sulmi ndodhi në Gjirin e Adenit, në ujërat në jug të Jemenit.

Komanda Qendrore amerikane deklaroi se sulmi nuk pati ndikim tek anija.

Ekuipazhi pa që raketat ranë në ujërat afër anijes, tha Komanda amerikane, duke shtuar se nuk është raportuar për të lënduar apo dëme dhe se anija vazhdoi lundrimin e saj.

Sulmet e Huthëve në Detin e Kuq kanë detyruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe partnerët e tyre ndërkombëtarë që të ndërmarrin hapa për të mbrojtur anijet përmes një operacioni të përbashkët, duke penguar raketat apo dronët që i shënjestrojnë anijet.

Po ashtu, Amerika dhe Britania e Madhe kanë kryer sulme ndaj vendeve ku rebelët kanë raketat, radarët dhe sistemet e mbrojtjes ajrore, me qëllim që të shkatërrojnë aftësinë e tyre për të sulmuar.

Për muaj të tërë, Huthët kanë thënë se po sulmojnë anije në Detin e Kuq e që janë të lidhura me Izraelin apo që lundrojnë drejt porteve izraelite. Ata kanë thënë se sulmet kanë për synim që të ndalin ofensivën e Izraelit në Gaza.

Lufta mes Izraelit dhe Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-të dhe Bashkimi Europian, nisi pasi më 7 tetor, Hamasi sulmoi jugun e Izraelit. Por, sulmet ndaj anijeve në Detin e Kuq janë rritur dhe kanë shtuar frikën për zgjerimin e konfliktit në rajon.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48804 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE