Biden: Krijimi i një shteti palestinez, i mundur edhe me Netanyahun!

vovalbania January 20, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Biden: Krijimi i një shteti palestinez, i mundur edhe me Netanyahun!

Krijimi i një shteti për palestinezët është i mundur edhe me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu. Kështu deklaroi presidenti amerikan, Joe Biden. Kur u pyet nëse ishte e mundur një zgjidhje me dy shtete edhe me Netanyahun, shefi i Shtëpisë së Bardhë u shpreh:

Po, është!

Më pas, presidenti amerikan shpjegoi se kryeministri i Izraelit nuk është kundër të gjitha zgjidhjeve me dy shtete dhe shtoi se ka lloje të ndryshme.

Ka shumë lloje të zgjidhjeve me dy shtete. Ka vende që janë anëtarë të Kombeve të Bashkuara dhe nuk kanë shtetin e tyre. Unë mendoj se ka mënyra si mund të funksionojë kjo.

Pas 27 ditësh heshtje dhe “ngricash”, presidenti amerikan Joe Biden foli sërish me Benyamin Netanyahun për të përsëritur se Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë të fokusohen në krijimin e një shteti palestinez.

Pas bisedës 40 minutëshe mes dy liderëve, Shtëpia e Bardhë njoftoi:

Izraeli duhet të zvogëlojë dëmet e pësuara nga civilët në Gaza.

Vështirësitë e Netanyahut, nuk kufizohen vetëm në Uashington, por edhe në Europë. Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Josep Borrell e tha hapur se “qeveria e Izraelit” e udhëhequr nga Benjamin Netanyahu përfaqëson “një pengesë” për çdo zgjidhje të konfliktit dhe se komuniteti ndërkombëtar duhet “të imponojë nga jashtë “zgjidhjen me dy shtete””.

Ditë më parë, kryeministri Benjamin Netanyahu refuzoi thirrjet e Shteteve të Bashkuara që Izraeli të ulë intensitetin e ofensivës së tij ushtarake në Rripin e Gazës ose të ndërmarrë hapa drejt krijimit të një shteti palestinez pasi të mbarojë lufta. Ky refuzim i tij shkaktoi menjëherë kritika nga Shtëpia e Bardhë.

Tensionet për këto çështje reflektuan një përçarje të madhe mes dy aleatëve lidhur me madhësinë e luftës së Izraelit dhe planet e tij për të ardhmen e territorit të rrethuar.

Ne sigurisht e shohim këtë ndryshe, tha zëdhënësi i sigurisë kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby.

Deklarata e Netanyahut më 18 janar erdhi një ditë pasi sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se Izraeli nuk mund të ketë asnjëherë “siguri të mirëfilltë” pa një rrugë drejt pavarësisë palestineze. Më herët gjatë kësaj jave, Shtëpia e Bardhë ka thënë se është “koha e duhur” që Izraeli të ulë intensitetin e ofensivës së tij shkatërruese në Gaza.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49085 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE