Hetimet për çështjen ‘McGonigal’, Agron Neza paraqitet në SPAK!

vovalbania January 22, 2024 0 koment 4 Mund të lexoni në minuta.
Hetimet për çështjen ‘McGonigal’, Agron Neza paraqitet në SPAK!

Ish-punonjësi i Agjencisë Shqiptare të Inteligjencës, Agron Neza është parë mesditën e sotme (e hënë) të ngjisë shkallët e godinës së SPAK, aty ku do të pyetet për çështjen “McGonigal”. Agron Neza akuzohet se i ka dhënë 225.000 dollarë ish-agjentit të FBI-së.

Ish-zyrtari i lartë amerikan ka pranuar se kishte marrë 225,000 dollarë nga Agron Neza, i cili sipas dokumenteve në gjykatë, u bë informatori për hetimin e FBI-së lidhur me kontaktet dhe takimet e tij në Shqipëri.

Pranimi i fajësisë u bë në Gjykatën Federale në Uashington, në shtator të 2023, në bazë të një marrëveshjeje mes prokurorëve dhe avokatëve të McGonigal.

Ai pranoi fajësinë për një prej pikave të aktpadisë, atë për fshehjen e provave materiale dhe prokurorët hoqën dorë nga tetë pikat e tjera.

McGonigal ka pranuar gjithashtu se ishte takuar disa herë me kryeministrin Edi Rama, duke filluar nga shtatori 2017 në prani të Dorian Duçkës, i cili vazhdon të figurojë si “personi B” edhe në dokumentin ku ofrohet një akuzë e reduktuar.

Neza përmendet në dosjen hetimore të zyrtarit të lartë amerikan dhe më herët ka deklaruar se kryeministri Edi Rama nuk ka asnjë lidhje me 225 mijë dollarët e përmendura nga hetuesit.

Vetë Neza ka thënë se paratë që i ka dhënë McGonigal nuk kanë lidhje me qeverinë shqiptare dhe as me kryeministrin Rama.

Ai ka thënë se me kryeministrin Rama është njohur përmes ish-agjentit dhe se bashkë nuk kanë folur asnjëherë për çështje parash e biznesi.

Në takimin informal me gazetarët  në fund të dhjetorit 2023, kreu i SPAK Altin Dumani duke iu përgjigjur disa pyetjeve të gazetarëve informoi se po vijonin hetimet në kuadër të kallëzimit penal që deputeti Gazment Bardhi kishte bërë në Prokurorinë e Posaçme dhe për të cilin ishte bërë dhe regjistrimi i procedimit penal.

Më 24 janar 2023 deputeti Gazment Bardhi depozitoi në SPAK kallëzimin për nisje të hetimeve ndaj Kryeministrit Rama për ato që ai i cilësoi si lidhje me ish zyrtarin e lartë të FBI-së, Charles McGonigal, duke thënë se ky i fundit është korruptuar nga Rama për të sajuar lobimin e PD-së me paratë ruse.

Më herët në Prourorinë e Posaçme është thirrur edhe Dorian Duçka, por nuk dihet me saktësi nëse ai u paraqit për të dëshmuar për këtë çështje apo për atë CEZ-DIA

Dosja e autoriteteve amerikane e përmend Nezën (të cilin e referon si personi A) në 72 raste sa i përket aktakuzës për ish-agjentin special të FBI-së, Charles McGonigal.

Pjesë nga dosja

6. Personi A ishte shtetas i natyralizuar i Shteteve të Bashkuara, i lindur në Shqipëri, i cili banonte në Nju Xhersi. Personi A kishte qenë punonjës i një agjencie shqiptare të inteligjencës disa dekada më parë.

7. Kompania A ishte një organizatë biznesi në Delaëare, e regjistruar nga Personi A në janar 2018.

8. Personi A dhe personi B ishin miq dhe bashkëpunëtorë biznesi me njëri-tjetrin.

12. Duke filluar jo më vonë se gushti 2017 dhe duke vazhduar, më pas, të paktën deri në 6 maj 2019, në Distriktin e Kolumbias dhe gjetkë, në një çështje brenda juridiksionit të ekzekutivit të qeverisë së Shteteve të Bashkuara, i pandehuri Charles McGonigal, me dijeni dhe dashje, ka falsifikuar, fshehur dhe mbuluar, nëpërmjet mashtrimit, skemave ose pajisjeve, fakte materiale – konkretisht, McGonigal fshehu vazhdimisht aspekte të marrëdhënies së tij me Personin A, të cilat ai kishte për detyrë t’i deklaronte dhe të cilat krijonin një konflikt aktual dhe të dukshëm interesi midis detyrave të tij zyrtare në FBI dhe interesave të tij private, duke përfshirë faktin që McGonigal pranoi më shumë se 225,000 USD nga Personi A, udhëtoi me Personin A në Evropë dhe vendosi marrëdhënie të vazhdueshme me shtetas të huaj, të cilët iu prezantuan nga personi A dhe bashkëpunëtorët e personit A.

13. Qëllimi i skemës ishte që i pandehuri McGonigal të fshihte nga FBI-ja dhe nga publiku, informacione materiale, pra natyrën e marrëdhënies së tij me Personin A, duke përfshirë marrjen e të paktën 225,000 USD nga personi A, udhëtimin me personin A në Evropë dhe marrëdhëniet e vazhdueshme me shtetas të huaj, të cilët iu prezantuan nga personi A dhe bashkëpunëtorët e personit A, të cilat i pandehuri McGonigal duhej t’i raportonte dhe të cilat krijuan një konflikt aktual dhe të dukshëm interesi midis detyrave zyrtare të të pandehurit McGonigal dhe interesave të tij financiare private.

14. Ndërmjet qershorit 2018 dhe majit 2019, i pandehuri McGonigal dorëzoi dhe shkaktoi që të dorëzoheshin çdo vit formularët OGE-278 që deklaronin dhe vërtetonin në mënyrë të rreme se i pandehuri McGonigal nuk kishte detyrime më të mëdha se 10,000 USD dhe që nuk identifikonin asnjë pasuri më të madhe se 1,000 USD të marrë nga Personi A, kur, siç e dinte i pandehuri McGonigal, ai kishte kërkuar dhe marrë jo më pak se 225,000 USD nga Personi A, të cilat ai duhet t‘i raportonte në formularët OGE-278.

15. Midis shtatorit 2017 dhe qershorit 2018, i pandehuri McGonigal dorëzoi dhe shkaktoi që të dorëzoheshin formularë FD-772 dhe FD-772b që falsifikonin, fshihnin dhe mbulonin marrëdhënien dhe udhëtimin e tij me personin A. Pra, në të njëjtën kohë me periudhën kohore kur kërkoheshin dhe merreshin paratë, i pandehuri McGonigal udhëtoi në disa raste me personin A në Shqipëri dhe vende të tjera të Evropës dhe raportoi në mënyrë të rreme në FBI natyrën dhe shtrirjen e udhëtimit, në formularët FD-772 dhe FD-772b, duke përfshirë: mosidentifikimin e personit A si shoqërues udhëtimi, mosidentifikimin e vendeve të vizituara, karakterizimin e rremë të qëllimit të udhëtimit dhe raportimin e rremë se nuk do të kishte asnjë kontakt me shtetas të huaj, për të cilët ekzistonte detyrimi për raportim, pavarësisht se i pandehuri McGonigal synonte dhe, në fakt, u takua me shtetas të huaj, duke përfshirë, ndër të tjerë, edhe personin B, me të cilin i pandehuri McGonigal kishte një marrëdhënie të vazhdueshme.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48927 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE