Kurti në Shkup: Plani i rritjes ekonomike përshpejton rrugën drejt BE-së!

vovalbania January 22, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Kurti në Shkup: Plani i rritjes ekonomike përshpejton rrugën drejt BE-së!

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha në Shkup se vlerat e Bashkimit Europian duhet të bëhen reforma në Ballkanin Perëndimor dhe se mbështetja e Bashkimit Europian, duhet të jetë edhe financiare. Këto deklarata i bëri në nisje të konferencës “Plani i Rritjes së Ballkanit Perëndimor dhe Integrimi më i Shpejtë në BE”, që mbahet në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut.

Plani i BE-së për Ballkanin Perëndimor synon rritjen ekonomike të rajonit, përshpejtimin e reformave të duhura dhe kryerjen e investimeve, që mund të avancojnë procesin e zgjerimit të BE-së me këto vende. Vlera e ndarë nga BE-ja për këtë plan, në periudhën 2024-2027 është 6 miliardë euro.

Republika e Kosovës sot do të dorëzojë listën e reformave të diskutuara, ndërkaq në ditët në vijim, do të dorëzojmë edhe listën e projekteve indikative. Sa u përket reformave, aty në qendër e kemi reformën e administratës publike dhe të menaxhimit të financave publike, ndërkaq të projekteve i kemi ato për agjendën e gjelbër, digjitalizimin, investimet në sektorin privat dhe ngushtimin e hendekut infrastrukturor.

Kurti përmendi se ky plan përshpejton rrugën e Ballkanit drejt BE-së, diçka që sipas tij është “edhe qëllimi, edhe fati ynë”.

Mikpritës i takimit është kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski, ndërsa në të marrin pjesë kryeministri Rama, ai i Malit të Zi, Millojko Spajiç e presidenti serb, Aleksander Vuçiç.

Përveç tyre, Shtetet e Bashkuara përfaqësohen nga ndihmës-sekretari amerikan i Shtetit për Europën dhe Euroazinë, James O’Brien. Në mesin e zyrtarëve europianë janë drejtori i Komisionit Europian për Fqinjësinë, Gert Jan Kopman dhe zyrtarë tjerë.

Kryeministri Kovaçevski paralajmëroi miratimin e një deklarate në fund. Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç, u shpreh se tilla takime janë të rëndësishme për zhvillimin e rajonit. Vuçiç përmendi faktin se në Shkup, për herë të parë po bisedohet vetëm për çështjet ekonomike, duke theksuar se për ato politike ka dallime të mëdha.

Sipas tij, tashmë Serbia ka prezantuar projektet që kanë të bëjnë me projektet ekonomike në kuadër të planit europian për rritjen ekonomike.

Sa i përket Serbisë ne e kemi prezantuar planin tonë për rritjen ekonomike për tre vitet e ardhshme dhe përputhet me atë që po bëjmë me BE-në. Ne do të bëjmë gjithçka që reformën ta bëjmë që të mund të kemi qasje në mjetet financiare sa më shpejt që të jetë e mundur, së bashku me gjithë të tjerët. Besoj se të gjithë së bashku, duke punuar në këtë plan, do të bëjmë përparim të madh.

Në dhjetor të vitit të kaluar, Bashkimi Europian porositi vendet e Ballkanit Perëndimor se nuk ka më kohë për të pritur që t’i normalizojnë raportet ndërmjet tyre por kjo duhet të bëhet shpejt, si kusht për të shfrytëzuar mjetet nga plani për rritje ekonomike.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48886 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE