Uashingtoni përsërit kërkesën: BQK-ja të shtyjë zbatimin e vendimit për dinarin!

vovalbania January 29, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Uashingtoni përsërit kërkesën: BQK-ja të shtyjë zbatimin e vendimit për dinarin!

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier i kërkoi guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili që të shtyjë zbatimin e vendimit sa i përket përdorimit vetëm të euros në pagesa. Rregullorja e miratuar nga BQK-ja dhe që nga serbët në Kosovë po shihet si një vendim që do t’iu pamundësojë të përdorin dinarin, pritet të hyjë në fuqi më 1 shkurt, pra të enjten e kësaj jave.

Sot zhvillova një takim produktiv me guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, BQK, Ahmet Ismaili. Përsërita shqetësimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës lidhur me zbatimin e rregullores së miratuar. Ne bëjmë thirrje që zbatimi i kësaj rregulloreje të shtyhet, në mënyrë që të japë kohë për tranzicion më efektiv, si dhe komunikim me publikun, që të zbutet ndikimi negativ te qytetarët.

Takimi mes ambasadorit Jeff Hovenier dhe guvernatorit Ahmet Ismaili erdhi një ditë pasi shtetet e QUINT-it: Amerika, Britania e Madhe, Gjermania, Italia dhe Franca bënë të njëjtën kërkesë lidhur me shtyrjen e zbatimit të vendimit për rregulloren për operacionet vetëm me euro, monedhën e përbashkët europiane.

Nga Qeveria e Kosovës kanë argumentuar se vendimi i BQK-së është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, por QUINT-i ka thënë se ky vendim “ngre shqetësime në lidhje me ndikimin që në veçanti ka te komunitetet me shumicë serbe”.

Ndërkaq, Bashkimi Europian ka bërë të ditur më herët se ka kërkuar sqarime nga Kosova për këtë vendim, i cili sipas Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë e që po ashtu gëzon mbështetjen e Serbisë, rrezikon mbijetesën e serbëve në Kosovë.

Në Kosovë, në të gjitha vendbanimet me shumicë serbe, popullsia përdor dinarin serb për të kryer pagesa dhe ata që punojnë në institucionet serbe në Kosovë, i marrin edhe pagat me dinarë. Gjithashtu, me dinarë paguhen pensionet, po sipas sistemit serb, si dhe bonuset për fëmijët e ndihmat sociale. Në objektet tregtare, në zonat ku banojnë serbët në Kosovë, përveç euros, përdoret edhe dinari.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 50849 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE