Kosovë, dënohet ish-ministri i Infrastruktrës, Pal Lekaj/Gjykata vendos 3 vjet e 8 muaj burg!

vovalbania January 31, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Kosovë, dënohet ish-ministri i Infrastruktrës, Pal Lekaj/Gjykata vendos 3 vjet e 8 muaj burg!

Ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj u dënua me tre vjet e tetë muaj burg për shpërdorim të detyrës zyrtare dhe dëmtim të buxhetit të Kosovës. Dënimi i dhënë sot nga Gjykata Themelore në Prishtinë lidhet me rastin e ndarjes së 53 milion eurove shtesë konsorciumit “Bechtel&Enka” për ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi”.

Gjykata vendosi edhe dënim plotësues për deputetin e Kuvendit të Kosovës, Pal Lekaj, përmes së cilit i ndalon për një periudhë prej tre vitesh e gjashtë muaj, ushtrimin e çdo funksioni në administratën publike.

Në vitin 2018, Qeveria e Kosovës pati ndarë 53 milion euro shtesë për kompaninë në fjalë lidhur me punimet e autostradës Prishtinë – Hani i Elezit. Në atë kohë, ekzekutivi mbrohej me pjesën se qeveria e kaluar kishte “dështuar” që t’i paguante rregullisht faturat.

Pas debateve të shumta që u nxitën, si dhe dyshimeve të ngritura nga partitë opozitare, autoritetet në Kosovë patën nisur hetimet lidhur me ndarjen e 53 milion eurove për konsorciumin “Bechtel&Enka”.

Në vitin 2020, qeveria e drejtuar nga Albin Kurti, shfuqizoi vendimin e ekzekutivit të mëparshëm për zgjatje të afatit të kontratës sa i përket ndërtimit të autostradës “Arbën Xhaferi”, që lidh Kosovën me Maqedoninë e Veriut.

Me këtë vendim, qeveria Kurti ndërpreu negociatat me konsorciumin turko-amerikan, “Bechtel&Enka” për ndërtimin e lidhjeve të reja e të një mbikalimi në autostradë. Ezekutivi kërkoi po ashtu, që dikasteret përkatëse të bënin vlerësimin e dëmit të shkaktuar në buxhet nga vendimi i shfuqizuar.

Nga ana tjetër, autostrada Prishtinë-Shkup e quajtur “Arbën Xhaferi” ka një gjatësi prej 55 kilometrash dhe ndërtimi i saj i ka kushtuar buxhetit të Kosovës shifrën prej 600 milion eurosh. Kjo autostradë ishte inauguruar në vitin 2019.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49342 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE