Kosovë, hyn në fuqi rregullorja që nxjerr jashtë loje dinarin serb!

vovalbania February 01, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Kosovë, hyn në fuqi rregullorja që nxjerr jashtë loje dinarin serb!

Sot hyn në fuqi rregullorja e re e Bankës Qendrore të Kosovës, sipas së cilës pagesat do të kryhen vetëm me euro. Duke adresuar shqetësimet lidhur me përdorimin e dinarit serb, zv.kryeministri Besnik Bislimi u shpreh:

Tentativa që data e hyrjes në fuqi të interpretohet vetëm nga këndi i ndikimit që do të ketë në transportimin e valutave në dinarë e shpërfill rregulloren në tërësi. Rregullorja e BQK-së as nuk e ndalon as nuk e lejon, as nuk merret me dinarin serb. Dinari serb nuk ka qenë i lejuar mëherët që rregullorja ta ndalojë atë.

Dogana e Kosovës, Administrata Tatimore, Inspektorati i Tregut. Të gjitha përmenden si përgjegjëse të mundshme për monitorimin e zbatimit të rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, që e përcakton euron si valutë të vetme për pagesa. Vetë rregullorja nuk e specifikon, por thotë se “autoritetet kompetente janë autoritetet vendore të zbatimit të ligjit në Republikën e Kosovës”.

Në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë, kryetari i Bordit të BQK-së, Bashkim Nurboja, tha se “zbatimin e bëjnë institucionet e drejtësisë, nuk e bën BQK-ja” dhe përmendi Doganën e Kosovës në mënyrë të veçantë.

Me rregulloren që u publikua më 17 janar dhe hyri sot në fuqi, komunitetit serb në Kosovë do t’i ndalohet përdorimi i dinarit të Serbisë për pagesa. Nga viti 1999, banorët e dhjetë komunave me shumicë serbe, të nxitur nga Beogradi, e kanë shfrytëzuar dinarin për gjithçka, që nga rrogat e pensionet dhe deri te pagesat në dyqane e restorante.

Rregullorja e re mundëson që dinarët të mbahen në llogari bankare ose të këmbehen në euro. Qeveria e Kosovës shprehet e përkushtuar që kjo periudhë të sigurojë që qytetarët “të përshtaten sa më shpejt, sa më lehtë dhe pa dëmtime”. Numri dy i ekzekutivit, Bislimi shtoi:

Mekanizmat e Qeverisë që kanë për obligim zbatimin në praktikë të kësaj rregulloreje, do të fokusohen plotësisht që në këtë fazë transitore, të investojnë më shumë në informim dhe edukim të bizneseve dhe qytetarëve, e jo në masa ndëshkuese nga dita e nesërme (1 shkurt 2024).

Ashtu si ndërkombëtarët, edhe presidentja Vjosa Osmani kërkoi shtyrje të zbatimit të rregullores, por kryeministri Albin Kurti tha se nuk ka tërheqje.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 50585 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE