Sulmet amerikane në Jemen eliminojnë dronët e militantëve Houthi/Po përgatiteshin për të sulmuar anijet tregtare!

vovalbania February 01, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Sulmet amerikane në Jemen eliminojnë dronët e militantëve Houthi/Po përgatiteshin për të sulmuar anijet tregtare!

Shtetet e Bashkuara të Amerikës goditën rreth 10 dronë pa pilot në Jemen që po përgatiteshin për të sulmuar objektiva. Kështu bëri të ditur një zyrtar amerikan në mbrëmje vonë. Sulmi i ushtrisë amerikane vjen ndërsa përshkallëzimi i tensioneve të luftës në Gaza po përhapet në rajonin e Lindjes së Mesme.

Militantët Houthi të lidhur me Iranin, të cilët kontrollojnë pjesët më të populluara të Jemenit, kanë nisur një valë sulmesh me dronë dhe raketa ndaj anijeve tregtare në Detin e Kuq e në Gjirin e Adenit. Kjo nën pretekstin e reagimit ndaj operacioneve ushtarake të Izraelit në Gaza, si dhe shfaqjes së solidaritetit kundrejt palestinezëve. Siç dihet, sulmet e rebelëve Houthi kanë shkaktuar ndërprerje të transportit detar ndërkombëtar.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe kanë ndërmarrë sulme ndaj objektivave të rebelëve Houthi në Jemen dhe e kanë rikthyer organizatën në listën e “grupeve terroriste”. Një ditë më parë, lëvizja Houthi tha se forcat e saj detare kryen një operacion që kishte si objektiv një “anije tregtare amerikane” në Gjirin e Adenit, disa orë pasi qëlluan me raketa destrojerin amerikan Gravely.

Sulmet e rebelëve Houthi ndaj anijeve në Detit të Kuq kanë ngadalësuar tregtinë mes Azisë dhe Europës e kanë shkaktuar frikë lidhur me zinxhirët e furnizimit global. Fuqitë botërore janë të shqetësuara se lufta në Gaza mund të tjetërsohet në një konflikt rajonal.

Presidenti amerikan, Joe Biden ka thënë se sulmet ndaj objektivave të lëvizjes Houthi do të vazhdojnë edhe pse ai e pranoi se rebelët mund të mos i ndalojnë sulmet e tyre.

Operacioni ushtarak izraelit në Rripin e Gazës, territor që kontrollohet nga Hamasi, pasoi një sulm të përgjakshëm nga militantët e Hamasit në Izraelin jugor më 7 tetor ku u vranë 1 mijë e 200 njerëz dhe u morën peng mbi 250 të tjerë. Ministria e Shëndetësisë në Gaza thotë se rreth 27 mijë persona janë vrarë në luftime që nga fillimi i konfliktit.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49532 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE