Operacioni “Muratori”/ Goditet grupi kriminal, sekuestrohen 200 llogari bankare dhe 30 shoqëri tregtare në vend!

vovalbania February 05, 2024 0 koment 3 Mund të lexoni në minuta.
Operacioni “Muratori”/ Goditet grupi kriminal, sekuestrohen 200 llogari bankare dhe 30 shoqëri tregtare në vend!

Një operacion i gjerë ndërkombëtar kundër trafikut të drogës është ndërmarrë njëkohësisht në disa shtete mëngjesin e sotëm (5 shkurt 2024) për të ekzekutuar 83 urdhërarreste të lëshuara nga  Drejtoria e Antimafias e Firences.

Katër grupe kriminale që trafikonin lëndë narkotike në disa shtete europiane, u goditën në operacionin e koduar “Muratori” të realizuar nga SPAK në bashkëpunim me Prokurorinë e Firences dhe Kordinim me EUROJUST.

Në operacionin e Interpol, Europol, Eurojust, u arrestuan 67 të dyshuar, në Shqipëri, Itali, Gjermani, Spanjë, dhe Mbretërinë e Bashkuar, dhe ndaj 12 të dyshuarve të tjerë u ndërmorën masa të tjera parandaluese në Itali. Rrjeti kryesisht trafikonte heroinë, kokainë, hashash duke përdorur makina me dysheme të dyfishtë ose ndarje të fshehta.

Operacioni i sotëm ka çuar në sekuestrimin e pasurive në vlerën 5 milionë euro. Në Shqipëri janë sekuestruar: 32 subjekte tregtare, 45 automjete, 4 motomjete, mbi 200 llogari bankare, 19 pasuri te paluajtshme.

Në një dalje për mediat, prokurori Vladimir Mara shpjegoi se në vendin tonë janë sekuestruar mbi 200 llogari bankare të personave të përfshirë dhe 30 shoqëri tregtare.

“Tashmë është e qartë që krimi i organizuar ka kaluar çdo lloj kufiri. Operacioni i sotëm tregon se pa një bashkëpunim, nuk mund të luftohet korrupsioni. Ishte një hetim i kryer nga Prokuroria e Firences dhe SPAK.

Grupe kriminale që kishin shtrirë aktivitetin e tyre në të gjithë Europën, duke shpërndarë sasi të konsiderueshme të lëndëve narkotike. Janë sekuestruar në Shqipëri mbi 200 llogari bankare të personave të përfshirë dhe 30 shoqëri tregtare, 18 pasuri të paluajtshme dhe pasuri të tjera. Të gjithë trafikantë të lëndëve narkotike drejt vendeve të BE”.

Njoftimi i plotë i SPAK:

Me datë 05.02.2024 është finalizuar operacioni i koduar “Muratori”, i zhvilluar në kuadër të procedimit penal nr.270 i vitit 2021, regjistruar për veprat penale të “Trafikimi i narkotikeve”, kryer në formën e posaçme të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 28/4, 283/a, 287, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.

Hetimet e këtij procedimi penal janë kryer në kuadër të Skuadrës së Përbashkët Hetimore të krijuar ndërmjet Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Prokurorisë së Firences, Seksioni Antimafia, Itali, me ndërmjetësimin e EUROJUST.

Autoritetet italiane dhe shqiptare kanë ndërmarrë veprime kundër një rrjeti të madh të trafikut të drogës, që vepron në të dy vendet. Me mbështetjen e Eurojust-it dhe Europol-it në një operacion në shkallë të gjerë, sot në datën 05.02.2024 u arrestuan 67 të dyshuar, në Shqipëri, Itali, Gjermani, Spanjë, dhe Mbretërinë e Bashkuar, dhe ndaj 12 të dyshuarve të tjerë u ndërmorën masa të tjera parandaluese në Itali. Rrjeti kryesisht trafikonte heroinë, kokainë, hashash duke përdorur makina me dysheme të dyfishtë ose ndarje të fshehta.

Vitin e kaluar, gjatë një operacioni kundër të njëjtit grup të krimit të organizuar u arrestuan në Shqipëri 21 shtetas shqiptarë. Ky operacion çoi gjithashtu në sekuestrimin e një sasie narkotikësh me vlerë prej 2.7 milionë eurosh.

Operacioni i sotëm ka çuar në sekuestrimin e pasurive në vlerën 5 milionë euro.

Në Shqipëri janë sekuestruar: 32 subjekte tregtare, 45 automjete, 4 motomjete, mbi 200 llogari bankare, 19 pasuri te paluajtshme.

Dy oficerë të Europolit u vendosën në Shqipëri dhe Itali gjatë ditës së operacionit për të mbështetur autoritetet kombëtare me masat e tyre hetimore.

Operacioni i sotëm u krye në terren me kërkesë dhe me mbështetjen e autoriteteve të mëposhtme:

Itali: Zyra e Prokurorisë Publike të Firences; Korpusi i Karabinierëve me mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Brendshme Italiane – Shërbimi i Bashkëpunimit Ndërkombëtar Policor;

Shqipëri: Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK); Policia e Shtetit;

Agjensitë e zbatimit të ligjit të shtetit të Gjermanisë, Spanjës dhe Mbretërisë së Bashkuar;

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49683 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE