SHBA, Dhoma e Përfaqësuesve nuk miraton projektligjin për ndihmë vetëm për Izraelin!

vovalbania February 07, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
SHBA, Dhoma e Përfaqësuesve nuk miraton projektligjin për ndihmë vetëm për Izraelin!

Dhoma e Përfaqësuesve nuk e kaloi projektligjin sipas të cilit Shtetet e Bashkuara do ta ndihmonin Izraelin me 17.6 miliardë dollarë, pasi demokratët thanë se duan një draft ku do të përfshihej edhe ndihma për Ukrainën, financimi ndërkombëtar humanitar e ndihma e re financiare për sigurinë kufitare. Projektligji mori 250 vota pro dhe 180 kundër, duke dështuar të kalojë për shkak se u hodh në votim me procedurë të përshpejtuar. Kërkonte dy të tretat e shumicës për të kaluar.

Ndihma për Izraelin, njërin prej vendeve të huaja që gëzon mbështetjen më të madhe amerikane, tradicionalisht ka marrë përkrahje të fuqishme dypartiake në Kongres. Por, shumë kundërshtarë e cilësuan legjislacionin e Dhomës së Përfaqësuesve si dredhi politike nga republikanët për ta shpërqendruar vëmendjen nga kundërshtimi i tyre ndaj një projektligji prej 118 miliardë dollarësh që përfshin një ndryshim të politikës amerikane për emigracionin dhe mbështetjen e re financiare për sigurinë kufitare, miliarda dollarë ndihmë emergjente për Ukrainën, Izraelin dhe partnerët në rajonin Indo-Paqësor.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, republikani Mike Johnson tha se projektligji i Senatit mbërriti “i vdekur” në Dhomë, edhe para se të prezantohej. Liderët republikanë të Senatit nuk prisnin që projektligji të merrte vota të mjaftueshme.

Rosa DeLauro, demokratja e Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Ndarje Buxhetore:

Me këtë nuk arrihet gjë dhe vetëm vonohemi për t’u dërguar ndihma aleatëve tanë. Aleatët tanë po përballen me kërcënime ekzistenciale dhe miqtë e armiqtë tanë nëpër botë po shikojnë, duke pritur të shohin si do të përgjigjet Amerika.

Presidenti Biden, i cili e mbështet projektligjin e Senatit, ishte zotuar se do të përdorte veto ndaj projektligjit të republikanëve lidhur me ndihmën vetëm për Izraelin në Dhomën e Përfaqësuesve.

Anëtarët e Kongresit janë duke hasur në vështirësi për ta gjetur një mënyrë si të dërgojnë ndihma të sigurisë jashtë vendit, sidomos në Ukrainë, vend që po lufton me pushtuesit rusë. Biden i ka dërguar dy herë kërkesa Kongresit për projektligje të shpenzimeve urgjente.

Dhoma e Përfaqësuesve, ku republikanët kanë shumicën, kaloi një projektligj për ndihma vetëm për Izraelin në nëntor, por ai draft nuk u dërgua kurrë në Senatin e udhëhequr nga demokratët amerikanë.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49066 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE