Kërkesa e SPAK-ut për rikthimin e Malltezit në burg, caktohet data e rekursit!

vovalbania February 09, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Kërkesa e SPAK-ut për rikthimin e Malltezit në burg, caktohet data e rekursit!

Në Gjykatën e Lartë caktohet data 5 mars, ora 12:30 për rekursin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar që kërkon rikthimin në burg të Jamarbër Malltezit, i akuzuar për korrupsion dhe pastrim parash në privatizimin e klubit sportiv “Partizani” në Tiranë. Rekursi i SPAK-ut për dhëndrin e ish-kryeministrit Sali Berisha do të shqyrtohet nga gjyqtarët Sokol Binaj, Sandër Simoni e Ilir Panda.

Dy prokurorët e çështjes u shprehën se Malltezi kreu korrupsion, duke bashkëpunuar me funksionarin më të lartë të kohës.

Konkretisht, me ish-kryeministrin Sali Berisha.

Sipas dy prokurorëve, “ekziston dyshimi i arsyeshëm i mbështetur në prova se janë cënuar themelet e shoqërisë në strukturat më të larta”. Ata theksuan se në këtë rekurs mbajnë parasysh edhe vlerën e lartë të parave që dyshohet se u pastruan, kohështrirjen e aktivitetit kriminal e që po sipas tyre “i çon në konkluzionin se Gjykata e Apelit nuk e respektoi ligjin kur zbuti masën e sigurisë nga arrest me burg, në arrest shtëpie”.

Arben Kraja dhe Enkelejda Millonai, të cilët po hetojnë dosjen “Partizani” i thanë Gjykatës së Lartë se “Shqipëria ende vuan nga nivelet e larta të korrupsionit, në shumë fusha” dhe sipas tyre “është kjo arsyeja se përse qeveria shqiptare e ka vendosur këtë luftë në listën e përparësive më të rëndësishme të politikës së saj”.

Më tej, SPAK-u tha se veprat për të cilat dyshohet Malltezi, ajo korrupsionit dhe pastrimit të parave, sanksionohen dhe dënohen me burg, aq më tepër kur siç dyshojnë prokurorët e SPAK-ut, ato janë kryer në rrethanën cilësuese të bashkëpunimit.

Ndërsa Jamarbër Malltezi dyshohet edhe për pastrim të parave, kjo vepër sipas Prokurorisë së Posaçme “dëmton rëndë ekonominë e një vendi në terma afatgjatë e impaktohet edhe sistemi financiar”. Po për çështjen e privatizimit të klubit “Partizani”, ish-kryeministri Sali Berisha po hetohet nën dyshimet për korrupsion e prej 30 dhjetor 2023 është në arrest shtëpie ndërsa kërkon të lejohet të marrë pjesë në punimet e Kuvendit.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49970 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE