Ngatërroi presidentin egjiptian me të Meksikës, Biden nën “sulmin” republikan për problemet me kujtesën!

vovalbania February 10, 2024 0 koment 3 Mund të lexoni në minuta.
Ngatërroi presidentin egjiptian me të Meksikës, Biden nën “sulmin” republikan për problemet me kujtesën!

Kundërshtarët republikanë të presidentit amerikan Joe Biden po e sulmojnë për problemet me kujtesën, pasi presidentit të Egjiptit iu referua si president i Meksikës, çka thellon shqetësimet e demokratëve lidhur me moshën e tij. Për Zërin e Amerikës, Jason Miller, këshilltar i lartë i fushatës së Trump-it u shpreh:

Biden nuk do të jetë më i mprehtë në nëntor. Joe Biden jo vetëm që shfaq shenja pleqërie, por ai rrezikoi sigurinë tonë kombëtare.

Trump zotëron një epërsi në zgjedhjet paraprake në Partinë Republikane dhe ka gjasa të bëhet i emëruari i kësaj force për president edhe pse mbi të rëndojnë 91 akuza për vepra penale në raste të ndryshme në nivel federal e në nivel shtetesh.

Fushata e kandidates tjetër republikane Nikki Haley, e cila renditet pas Trump-it, publikoi një deklaratë duke theksuar se “Biden duhet t’i nënshtrohet menjëherë një testi për aftësinë mendore dhe përfundimet t’i bëjë publike”.

Joe Biden nuk mund të mbajë mend ngjarjet madhore në jetën e tij, si për shembull kur shërbeu si zv.president apo kur i vdiq djali. Eshtë trishtuese, por do të ishte edhe më trishtuese nëse në Shtëpinë e Bardhë kemi një person që nuk është në gjendje mendore të kryejë detyrën më të rëndësishme në botë.

Republikanët filluan sulmet e tyre të reja pasi të enjten në mbrëmje, gabimisht, Biden iu referua presidentit egjiptian Abdel-Farrah el-Sissi si “president i Meksikës” teksa po fliste mbi përpjekjet e tij për të siguruar ndihmë për banorët e Gazës.

Biden e bëri ngatërresën ndërsa po iu përgjigjej pyetjeve të gazetarëve rreth raportit të prokurorit të posaçëm për mbajtjen e paautorizuar të dokumenteve sekrete që përfshin komente për vështirësitë e presidentit me kujtesën, duke cituar shembuj se si ai nuk ishte në gjendje të kujtonte momentet e rëndësishme të jetës, si kohën kur ka shërbyer si zv.president ose kur i vdiq i biri, Beau.

Dukshëm i acaruar, presidenti amerikan i hodhi poshtë shqetësimet:

Kujtesën e kam në rregull.

Tre të katërtat e votuesve, përfshirë gjysmën e demokratëve thonë se janë të shqetësuar për shëndetin fizik dhe mendor të Biden-it, sipas një ankete të televizionit amerikan “NBC News” që u publikua këtë javë.

Më pak se gjysma e votuesve shprehen të shqetësuar për shëndetin fizik dhe mendor të Trump-it, sipas të njëjtës anketë, megjithë gabimet e shumta të tij. Gjatë një takimi fushate në fillim të muajit duket se gabimisht, Trump iu referua rivales së tij Haley si Nancy Pelosi, ish-kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve. Këtë e bëri ndërsa po fliste për ngjarjet e 6 janarit. Në të kaluarën, ai ka ngatërruar Bidenin me ish-presidentin Barack Obama.

Prokurori i posaçëm, Robert Hur vendosi të mos ngrejë padi ndaj Biden-it për mbajtjen e paautorizuar të dokumenteve sekrete. Por, shënimet e Hur-it mbi kujtesën e presidentit ka gjasa t’i japin municion rivalëve republikanë të Biden-it në argumentimin e tyre se ai nuk është në gjendje të udhëheqë vendin.

Trump, i cili po përballet me një aktakuzë federale që përmban 37 vepra penale të lidhura me mbajtjen e paautorizuar të dokumenteve sekrete, pengimin e drejtësisë dhe bërjen e deklaratave të rreme, sulmoi edhe më shumë Biden-in për çështjen e dokumenteve sekrete.

Rasti i Biden-it është 100 herë më ndryshe dhe shumë më i rëndë se rasti im. Ekziston një sistem me dy nivele të drejtësisë dhe ndjekjes penale jokushtetuese. Ka ndërhyrje në procesin zgjedhor.

Në raportin e tij, prokurori Hur iu përgjigj paraprakisht deklaratave:

Në dallim nga provat ndaj Biden-it, akuzat e ngritura në padinë e Trump-it, nëse vërtetohen, paraqesin fakte rënduese serioze. Në veçanti, për faktin se Trump-it i janë dhënë mundësi të shumta për t’i kthyer dokumentet sekrete që t’i shmanget ndjekjes penale, por me gjasa, ai bëri të kundërtën.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49220 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE