Sot 14 Shkurt, 26 vjet Top Albania Radio! Radio që dëgjohet, radio që shikohet, radio që lexohet, radio që shijohet…

vovalbania February 14, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Sot 14 Shkurt, 26 vjet Top Albania Radio! Radio që dëgjohet, radio që shikohet, radio që lexohet, radio që shijohet…

Pranverë 1998. Shqipëria e atëhershme mediatike numëronte veç gazetave dhe disa iniciativave (po i quajmë kështu) audiovizuale, të konsideruara si dallëndyshet e para të erës së re, që po shfaqej paksa me vonesë në raport me shndërrimet e mëdha në rrafshet e tjera të jetës. Me një qasje të thjesht, pas 8 vitesh që kish rënë monopoli politik në vend, i kishte ardhur radha rënies së monopolit radioteleviziv (RTSH-së). Por nuk do të ndodhte ama si në politikë. E reja që do të zëvendësonte të vjetrën nuk do të mbarte reminishencat e kësaj të fundit.

Kjo nuk do të vinte menjëherë. 3-4 radiot e para ishin më tepër “jukebox”, pa ndonjë cilësi audio të veçantë dhe e vetmja tërheqje që provokonin ishte muzika pa hesap në transmetim. Dhe kjo ndodhte ose me kaseta, CD te vjetra dhe xhirodisqe (pllakat e karbonit). Për lajme profesionale apo për zëra profesionalë as që bëhej fjalë. Gjithçka kishte ndalur tek e kaluara. Ishte dhe një periudhë kur Shqipëria sa kishte nisur të mëkëmbej nga troshitja që i bëri vetes më 97-ën. Sakaq ishte dhe fund-dimri. Pranvera që po afrohej nuk ishte ajo e një viti më parë, por trishtimi ndër njerëz ishte akoma prezent. 14 shkurt 1998. Në 100 mgh/fm, dëgjohet Top Albania Radio.

Që prej asaj dite, ky konstelacion me tre fjalë do të hynte në historinë e Shqipërisë si një faqe e re e saj, e revolucionit mediatik-audiovizual, që do të përfaqësohej fillimisht nga kjo radio e më pas nga Top Channel e DigitAlb. Top Albania Radio mori liçensën e parë kombëtare për radiot private, duke hedhur brenda një viti një hap të rëndësishëm në suksesin e saj të padiskutueshëm. Sinjali i saj mbulonte 95% të territorit të vendit, kur radioja shtetërore 60-vjeçare mbulonte vetëm 75%. Kjo radio transmetonte rreth 19 edicione informative flesh dhe muzikë bashkëkohore. Ajo iu imponua të gjitha moshave, për një arsye të thjesht: të rinjtë e gjenin veten aty, ndërsa të moshuarit, sepse donin të ndiheshin të rinj.

Transmetimet eksperimentale nisën që në janar të vitit 1998, ku transmetohej vetëm muzikë. Edhe transmetuesi i parë që mbulonte Tiranën dhe rrethinat e saj, u vendos pikërisht këtë muaj. Më pas, 14 shkurti ishte dita kur nisi transmetimi zyrtar dhe atë ditë, prezantuesja e parë Gerta Heta lançoi tek dëgjuesit numrat e telefonit. Që atë ditë, telefonat e Top Albania Radios nuk kanë pushuar asnjë çast, për t’u bërë pjesë të gjithë nga pak të “Radios me ngjyra në Shqipëri”.

Ditëlindja e Top Albania Radio, përcjell emocione të ndryshme dhe zgjon kujtime të paharrueshme tek të gjithë shqiptarët e veçanërisht tek ata që radion e mbajnë gjithmonë ndezur. 26 vite plot dashuri, energji, muzikë bashkëkohore dhe po ashtu me hite nostalgjike që na rrënqethin edhe sot kur i dëgjojmë.

Radio që dëgjohet

Radio që shikohet

Radio që lexohet 

Radio që shijohet

Happy Birthday

TOP RADIO!

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48797 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE