Kosovë, OEAK propozon alternativa për transaksionet me dinarin serb!

vovalbania February 15, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Kosovë, OEAK propozon alternativa për transaksionet me dinarin serb!

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK) propozon tri alternativa për transaksionet ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë, pas vendimit të autoriteteve në Prishtinë për të ndaluar përdorimin e dinarit serb për pagesa.

Eshtë esenciale të thuhet që përderisa euro mban statusin e mjetit ligjor të pagesave në Kosovë, kjo nuk përjashton përdorimin e valutave të tjera në transaksionet, në rastet kur palët e përfshira arrijnë dakordim reciprok. Rregullorja e BQK-së ndikon edhe në transaksionet ndërshtetërore mes Kosovës e Serbisë, si dhe për të mundësuar transaksionet ku përfshihet dinari serb.

Alternativa e parë do të mund të ishte që të shfrytëzohen institucionet e transferit të parave që të transferohen fondet mes Kosovës dhe Serbisë, por një opsion i tillë mund të jetë më pak praktik dhe më i kushtueshëm për individët.

Alternativa e dytë parasheh hapjen e një llogarie bankare nga qeveria në Serbi, të dedikuar për transaksione ndërshtetërore me llogaritë përkatëse të denominuara në dinarë në bankat e Kosovës. Kjo metodë ofron një zgjidhje praktike nëpërmjet marrëdhënieve ekzistuese bankare, me gjithë ndërlikimet e mundshme logjistike.

Alternativa e tretë parasheh transferta direkte të fondeve nga ndonjë bankë e Serbisë në ndonjë bankë të caktuar në Kosovë dhe më pas fondet do të shpërndaheshin në llogaritë e përfituesve individualë. Ky opsion do të thjeshtonte procesin duke siguruar përputhshmërinë me kërkesat rregullative.

Në të gjitha alternativat është e rëndësisë kruciale të adresohet licencimi i institucioneve për importim të valutave, për të siguruar një furnizim adekuat të dinarëve në Kosovë.

Në rregulloren për operacionet me para, të miratuar nga BQK-ja, thuhet:

Institucionet e licencuara për operim në Kosovë mund të kryejnë importin dhe eksportin e valutave. Dogana dhe Policia e Kosovës janë autoritetet përgjegjëse që sigurohen që importi apo eksporti ndërkufitar i euros apo valutave të tjera nga dhe për në Kosovë mund të lejohet vetëm përmes paraqitjes së dëshmisë së licencës dhe autorizimit të lëshuar nga BQK-ja.

Kosova ka thënë se zbatimi i rregullores do të bëhet përmes një periudhe tranzitore, jo më të gjatë se tre muaj. Në ditët e fundit, autoritetet në Serbi kanë deklaruar se në dy raste, Bankës Popullore të Serbisë nuk i është mundësuar që të transportojë dinarë në një kasafortë që ka në Leposaviç, një prej katër komunave në veri e që janë të banuara me shumicë serbe.

Përmes një sistemi paralel, Serbia u paguan serbëve të Kosovës pagat, pensionet, ndihmat sociale dhe përfitimet e tjera. Komuniteti ndërkombëtar po i kërkon Kosovës që të shtyjë zbatimin e këtij vendimi duke argumentuar se ai është marrë pa konsultime paraprake e pa informimin e duhur të qytetarëve.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48748 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE