Armëpushimi në Gaza, Algjeria me rezolutë në Këshillin e Sigurimit/Amerika do të përdorë veton!

vovalbania February 18, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Armëpushimi në Gaza, Algjeria me rezolutë në Këshillin e Sigurimit/Amerika do të përdorë veton!

Më 20 shkurt, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara mund të votojë mbi një kërkesë të Algjerisë që 15 anëtarëve të Këshillit iu kërkon të mbështesin një armëpushim të menjëhershëm humanitar në luftën në Gaza mes Izraelit dhe Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian. Por, sipas burimeve diplomatike, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë sinjalizuar se do të vendosin veto.

Më shumë se dy javë më parë, Algjeria prezantoi një draft-rezolutë paraprak. Por, ambasadorja amerikane në OKB, Linda Thomas-Greenfield tha se “teksti rrezikon negociatat e ndjeshme që synojnë të arrijnë një pauzë në luftime”.

Dje, Algjeria kërkoi që Këshilli i Sigurimit ta votojë të martën, por që të miratohet, kërkohet që të paktën nëntë vota të jenë në favor e të mos vendoset veto. Në Këshill, fuqinë e vetos e kanë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Franca, Kina dhe Rusia.

Ambasadorja Thomas-Greenfield paralajmëroi:

SHBA-të nuk mbështesin veprimet në këtë draft-rezolutë. Nëse vjen për votim siç është hartuar, nuk do të miratohet!

Amerika mbështet Izraelin në luftën kundër Hamasit, por i ka kërkuar që të bëjë gjithçka që mundet për të mbrojtur civilët në Gaza. Që nga 7 tetori i kaluar kur nisi lufta në Gaza, Uashingtoni ka vendosur dy herë veto në Këshillin e Sigurimit.  Po ashtu ka abstenuar dy herë, duke e lejuar Këshillin e Sigurimit të miratojë rezoluta që synonin të rrisnin ndihmën humanitare në Gaza dhe bënin thirrje për një zgjatje urgjente të pauzës në luftime.

Bisedimet mes SHBA-ve, Egjiptit, Izraelit e Katarit synojnë të shkohet deri te një pauzë në luftime dhe te lirimi i pengjeve nga Hamasi. Ambasadorja amerikane në OKB shtoi:

Eshtë kritike që edhe palët e tjera t’i japin shans këtij procesi që të jetë i suksesshëm, në vend që të shtyjnë përpara masa që e vendosin në rrezik.

Gjatë sulmit të 7 tetorit në Izrael, Hamasi vrau rreth 1 mijë e 200 persona, shumica civilë, si dhe rrëmbeu 250 të tjerë. Izraeli u kundërpërgjigj me një ofensivë ajrore e tokësore në Gaza e që deri më tani ka vrarë mbi 28 mijë persona, referuar Ministrisë së Shëndetësisë që drejtohet nga Hamasi.

Mundësia që OKB-ja të votojë për rezolutën e prezantuar nga Algjeria ndodh në kohën kur Izraeli po planifikon që të nisë një ofensivë në Rafah, në kufi me Egjiptin. Në këtë qytezë, mbi 1 milion palestinezë janë zhvendosur për shkak të luftimeve në pjesë të tjera të Gazës, duke rritur shqetësimet ndërkombëtare se një lëvizje e tillë nga Izraeli do të përkeqësonte krizën humanitare në Gaza.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 51125 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE