Vdekja e Navalnyt, familja vazhdon të kërkojë trupin e kryeopozitarit rus!

vovalbania February 19, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Vdekja e Navalnyt, familja vazhdon të kërkojë trupin e kryeopozitarit rus!

Familja dhe mbështetësit e Aleksei Navalnyt vazhdojnë të kërkojnë tërheqjen e trupit të kryeopozitarit rus, i cili humbi jetën më 16 shkurt në një burg të veriut të largët të Rusisë, në Arktik. Ndërkaq, vijojnë arrestimet e atyre që bëjnë homazhe për të.

Novaya Gazeta, me zyra në Letoni shkroi se “policia është duke ruajtur një morg në qytetin siberian Salekhrad”, teksa po rriten spekulimet se ku mund të gjendet trupi i 47-vjeçarit.

Familja e Navalnyt dhe ndihmës të ngushtë konfirmuan vdekjen e tij në burg, si edhe kërkojnë t’i dorëzohet trupi, por autoritetet e refuzojnë kërkesën. Avokatëve dhe nënës së tij iu thonë që “hetimet” për shkakun e vdekjes do të përfundojnë brenda javës.

Faqja Mediazona raportoi që në kamerat pranë burgut të Arktikut, të quajtur “Ujku polar” u panë katër makina që besohet se ishin aty për trupin e Navalnyt.

Bazuar në disa burime të rezervuara, në trupin e Navalnyt janë parë shenja mavijosjeje.

Por, këto raportime nuk janë identifikuar në mënyrë të pavarur. Sot në Bruksel, e veja e Navalnyt, Yulia Navalnaya do të takohet me ministra të Jashtëm të Bashkimit Europian.

Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell:

Ministrat e BE-së do të dërgojnë mesazh të fuqishëm të mbështetjes për luftëtarët e lirisë në Rusi dhe do të nderohet kujtimi për Aleksein.

Që kur është bërë publik lajmi për vdekjen e tij, policia ruse ka rrethuar disa zona ku njerëzit ndezën qirinj e dërguan lule, në nderim të Navalnyt.

Forcat policore ruse i shpërndanë mbështetësit dhe arrestuan më shumë se 400 persona në të paktën 36 qytete. Deri tani, presidenti rus, Vladimir Putin nuk e ka përmendur Navalnyn dhe as vdekjen e tij.

Por, Perëndimi e dënoi Putinin dhe administratën që drejton ndërsa presidenti amerikan, Joe Biden u shpreh se “nuk ka dyshim” që Putini duhet fajësuar për vdekjen e Navalnyt.

Navanlny ka qenë i dënuar me mbi 19 vjet burg për akuza që ai dhe mbështetësit i konsiderojnë “të motivuara politikisht”. Më 2020-ën u helmua me agjentin nervor Noviçok dhe pati fajësuar aparatin shtetëror me në krye Putinin. Navalny u kurua në Gjermani, por në ditën e kthimit në Rusi u dërgua në burg.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49538 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE