Stano: E papranueshme sjellja e Bislimit ndaj zyrtarëve të BE-së!

vovalbania February 22, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Stano: E papranueshme sjellja e Bislimit ndaj zyrtarëve të BE-së!

Sjellja e zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, ndaj zyrtarëve të Bashkimit Europian (BE), është e papranueshme, deklaroi sot zëdhënësi i bllokut, Peter Stano.

Ne shpresojmë se zoti Bislimi do t’i vlerësojë përpjekjet, në vend që, në mënyrë të pabazë, t’i akuzojë zyrtarët e BE-së. Një sjellje e tillë është e papranueshme.

Dje, Bislimi tha se e refuzoi një ftesë të Brukselit për të biseduar lidhur me çështjen e ndalimit të dinarit serb në Kosovë dhe e akuzoi të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak për shkelje të parimeve.

Me dërgimin e kësaj ftese, Lajçak kishte shkelur parimet që i ka vendosur vetë. Hera e parë që ai ka caktuar një takim pa pajtim paraprak me palët dhe është munduar që të përcaktojë agjendën përkundër parimeve që ai ka vendosur në vitin 2021, që asnjë temë nuk vendoset në agjendë pa pajtimin e palëve.

Stano konfirmoi se BE-ja ka ftuar Kosovën dhe Serbinë për të biseduar për çështjen e dinarit në një takim që pritej të zhvillohej më 27 shkurt. Por, tha se ftesa e të dërguarit të posaçëm të BE-së nuk specifikonte se kush prej palëve duhej të merrte pjesë në takimin e thirrur nga ai për më 27 shkurt.

Zakonisht, ne nuk i komentojmë shkëmbimet me partnerët tanë. Megjithatë, ftesa përmes letrës nga i dërguari i posaçëm Lajçak nuk kishte specifikuar se kush duhet të përfaqësojë Kosovën dhe kush Serbinë, kjo u ishte lënë palëve të vendosin.

Ndërkaq, shpjegoi se ftesa u bë pas takimeve të ndara që përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell pati me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiç dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti në Mynih të Gjermanisë javën e kaluar, kur sipas tij u diskutua çështja e dinarit.

Rregullorja e re e Bankës Qendrore të Kosovës që e konsideron euron si valutën e vetme në Kosovë për kryerjen e pagesave hyri në fuqi më 1 shkurt. Stano shtoi se BE-ja po bën përpjekje për të gjetur një zgjidhje për problemin e krijuar nga “vendimi i pakoordinuar i njërës palë, i cili nuk i ishte komunikuar paraprakisht popullatës në të cilën ndikon”.

Ai përsëriti qëndrimin se vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës do të ketë “ndikim serioz” për popullatën serbe në Kosovë dhe komunitetet e tjera, posaçërisht ata që marrin asistencë financiare nga Serbia.

BE dhe vendet anëtare ishin shumë të qarta në reagimet e tyre ndaj këtij vendimi kundërproduktiv dhe se kjo çështje duhet të zgjidhet brenda kornizës së dialogut. Sjellja jokonstruktive nga ana e autoriteteve të Kosovës, dështimi dhe mungesa e angazhimit vetëm e distancon Kosovën nga perspektiva e saj europiane.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49317 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE