Zelensky: Kongresi Amerikan të miratojë ndihmën për Ukrainën!

vovalbania February 23, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Zelensky: Kongresi Amerikan të miratojë ndihmën për Ukrainën!

Volodymyr Zelensky sërish thirrje Kongresit Amerikan të kalojë një paketë ndihme 60 miliardë dollarëshe për vendin e tij, për t’u mbrojtur kundër forcave pushtuese ruse. Sipas presidentit ukrainas, “kjo është alternativë më e lirë se pasojat e një fitoreje ruse”. Në një intervistë për televizionin konservator Fox News, Zelensky paralajmëroi se Putin do të hyjë edhe më thellë në Europën Lindore nëse zapton Ukrainën.

Nëse ata në Kongres duan që të jenë shumë pragmatikë, çmimi që ne po e kërkojmë tani… është më i vogël se ai që do të jetë në të ardhmen nëse Rusia do të futet në vendet e NATO-s. A do të mbijetojë Ukraina pa mbështetjen e Kongresit? Natyrisht! Por, jo të gjithë ne.

Zelensky ftoi presidentin amerikan Joe Biden dhe ish-presidentin Donald Trump, i cili duket në rrugën e duhur për t’u nominuar për president nga Partia Republikane që të garojë në presidencialet e nëntorit, ta vizitojnë Ukrainën dhe të jenë dëshmitarë të gjendjes në vijat e frontit të “kësaj tragjedie”.

Pas katër muajsh debatesh, Senati Amerikan e miratoi në fillim të shkurtit një projektligj për shpenzime plotësuese. Prej tij, Ukrainës i ndahen rreth 60 miliardë dollarë, kryesisht për blerjen e armëve e pajisjeve ushtarake. Por, një grup i republikanëve të ekstremit të djathtë në Dhomën e Përfaqësuesve e kanë bllokuar sepse synojnë ta lidhin me reformat e emigracionit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kjo vonesë është duke çuar në pasoja të mëdha në fushëbetejë, pasi forcave ukrainase po u harxhohen municionet dhe armët për mbrojtje ajrore. Javën e kaluar, forcat ruse pushtuan qytetin lindor Avdivka, duke shënuar fitoren e parë të madhe për Kremlinin prej majit të vitit të kaluar.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, theksoi se aleatët janë të përkushtuar të bëjnë më shumë për t’u siguruar që Ukraina “të triumfojë” në betejën me forcat pushtuese ruse. Kjo ndërsa NATO ka “ndryshuar ndjeshëm” qëndrimin, duke i ofruar armë më të avancuara Kievit.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë në përvjetorin e dytë të nisjes së pushtimit rus të Ukrainës, shefi i NATO-s tha se solidariteti me Kievin nuk është vetëm korrekt, por po ashtu “është në interes të sigurisë së përbashkët”. “Kjo nuk është bamirësi. Ky është investim për sigurinë tonë dhe mbështetja jonë bën dallimin në fushëbetejë, çdo ditë”, tha Stoltenberg.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48935 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE